
TIRANË-Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ambasadorët në Tiranë u takuan dhe përmes një deklarate ripohuan angazhimin për lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes.Takimi vjen pas publikimt të raportit për Lirinë e Medias, i Reporterëve pa Kufij, ku Shqipëria renditet në vendin e parafundit në Europë.
Ambasadorët dhe përfaqësuesit nga Kombet e Bashkuara përsëritën mbështetjen e tyre për Shqipërinë që të vazhdojë të zhvillojë një mjedis mediatik, ku gazetarët profesionistë dhe etikë mund të hetojnë dhe raportojnë në mënyrë objektive, pa frikë dhe pa u intimiduar. Në deklaratën e tyre ambasadorët shprehen se një media e pavarur është thelbësore për një demokraci funksionale. Gjithashtu, ata u shprehën se sulmet ndaj gazetarëve apo ndaj shtypit të lirë nuk mund të justifikohen kurrë ndërsa iu bën thirrje politikanëve, autoriteteve të zbatimit të ligjit, biznesit të sigurojnë që gazetarët ta kryejnë lirisht detyrën e tyre.
Deklarata e plotë:
Ambasadorët dhe ambasadat në Shqipëri, anëtarë të Koalicionit Botëror të Lirisë së Medias, si edhe përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara, OSBE-së dhe Bashkimit Europian u takuan për të shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, për të ripohuar angazhimin tonë për lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes.
Ne përsëritëm mbështetjen tonë për Shqipërinë që të vazhdojë të zhvillojë një mjedis mediatik, ku gazetarët profesionistë dhe etikë mund të hetojnë dhe raportojnë në mënyrë objektive, pa frikë dhe pa u intimiduar. Një media e pavarur është thelbësore për një demokraci funksionale. Ne theksuam rëndësinë e gazetarëve që raportojnë profesionalisht dhe ruajnë standardet e sjelljes, duke përfshirë shmangien e interesave personale, politike apo financiare. Ne inkurajojmë mediat shqiptare të nxisin përfaqësime gjithëpërfshirëse dhe të shmangin diskriminimin dhe paragjykimin. Ne përqafojmë rëndësinë e gazetarisë dhe lirinë e shprehjes në përballen me krizën globale të mjedisit.
Ne diskutuam mbi shqetësimet për raportet e fundit të sulmeve dhe abuzimeve drejtuar gazetarëve, duke përfshirë diskriminimin me bazë gjinore, dhe ritheksuam angazhimin tonë për të folur hapur kur kjo ndodh. Sulmet ndaj gazetarëve apo ndaj shtypit të lirë nuk mund të justifikohen kurrë. Ndërsa shënojmë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ne duartrokasim trimërinë e gazetarëve në raportimin e së të vërtetës duke u mundësuar qytetarëve të marrin informacion të saktë. Ne u bëjmë thirrje politikanëve, autoriteteve të zbatimit të ligjit, biznesit të sigurojnë që gazetarët ta kryejnë lirisht këtë detyrë jetike.



Ndërkohë për nder të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, i Ngarkuari me Punë David Wisner priti një grup gazetarësh dhe OJQ-sh mediatike nga e gjithë Shqipëria. Wisner vuri në dukje rolin jetik të një shtypi të lirë dhe të pavarur në një demokraci të shëndetshme, duke i thënë grupit se "asgjë nuk mund ta zëvendësojë guximin tuaj" në zbulimin dhe raportimin e së vërtetës.
"Ambasada e SHBA mbështet gazetarinë investigative përmes Investigative Network Albania, një platformë e menaxhuar nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësie, Instituti Shqiptar i Medias dhe Qendra FOL,"-shkruan Ambasada e SHBA-së në platformën 'X'.
Gjithashtu një reagim në 'X' erdhi edhe nga BE. Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato u shpreh se shtypi i pavarur, duke punuar në një mjedis të sigurt, është i domosdoshëm.
"Është shumë e rëndësishme që njerëzit të kenë akses në informacione të sakta dhe të bazuara në fakte. Gazetarët janë shumë të rëndësishëm për një shoqëri demokratike sepse, nëse njerëzit nuk marrin informacion të saktë, ata nuk mund të marrin vendimet e duhura, nuk mund të kenë mendimin e duhur për çështje kritike Sot është një ditë për të kujtuar edhe një herë se shtypi i pavarur, duke punuar në një mjedis të sigurt, është i domosdoshëm,"-u shpreh Gonzato.
Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”, ndaj edhe vendi ynëo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta. Sipas RSF, në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake, e po ashtu evidentohet se gazetarët bien viktima të krimit të organizuar. Në të njëjtin raport theksohet edhe fakti se në Shqipëri, konflikti i interesit dhe ndërhyrja e pronarëve pengojnë pavarësinë e medias./ZËRI