Aktualitet

“Qenke i rrezikshëm ti Sokol”, Mjacaj merret sërish në pyetje, 3 muaj më parë iu gjet celulari

Sokol Mjacaj është transferuar në burgun e Fierit pasi është marrë në pyetje për herë të dytë. Ai i ka qëndruar versionit, se vrasja ka ndodhur pas një sherri në burg dhe nuk është paguar

E.K
“Qenke i rrezikshëm ti Sokol”, Mjacaj merret sërish
Arben Lleshi dhe Sokol Mjacaj

TIRANË- Sokol Mjacaj është marrë sërish në pyetje në lidhje me vrasjen që tronditi të premten ambientet e burgut të sigurisë së lartë në Peqin, nëse është paguar për të ekzekutuar Arben Lleshin, gjë e cila është mohuar prej tij.

Mjacaj i qëndron versionit të dhënë më herët se Lleshin e ka qëlluar pas një zënke që kanë pasur në ambientet e burgut. Edhe pse prokuroria e ka pyetur me emra konkretë Mjacajn, nëse ishte paguar nga ana e tyre për eleminimin e Lleshit, i dënuari përjetë nuk pranuar asnjë pistë që i është dhënë nga grupi hetimor.

Nga ana tjetër Sokol Mjacajt i është sekuestruar dhe një aparat celular rreth 3 muaj më parë, të cilit pritet që ti bëhet ekspertiza nëse ka pasur komunikime me persona që do të zbardhnin dhe arsyet e vrasjes së Lleshajt, e cila deri tani sipas hetuesve dyshohet të jetë bërë me pagesë, për motivet e hakmarrjes. Policia ka ushtruar kontrolle dhe në banesën e babait të Mjacajt në zonën e Shkodrës i cili jetonte në kushte ekstreme varfërie.

Në banesën e babait të Mjacajt nuk është gjetur asgjë e paligjshme.

Pasi është marrë në pyetje për herë të dytë, Mjacaj është transferuar drejt ambienteve të burgut të Fierit, ku pritet të futet në regjimin 41 Bis, ku i ndalohet çdolloj komunikimi me botën e jashtme. 

Mjacaj ka deklaruar gjithshtu, se po të mos e kishte marrë vesh të premten se do të futej në regjimin 41 bis, nuk do ta kryente vrasjen, atë ditë. Për regjimin 41 bis, ai ka deklaruar se i kanë thënë të burgosurit e tjerë duke iu drejtuar “qenke i rrezikshëm ti Sokol, se do të fusin në izolim”.

Ai qëlloi 5 herë me pistoletën me mulli në drejtim të Arben Lleshit, i cili mori plumba në qafë dhe në gjoks, si dhe la të plagosur Indrit Shaqjen, ky i fundit fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Pas ngjarjes së rëndë, ku u cënua siguria në ambientet e burgut të Peqinit, janë ndaluar 12 punonjës ttë këtij institucioni, përfshirë edhe drejtuesin, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Ka dyshime se Mjacaj e ka pasur prej ditësh armën në qeli, e madje lëvizte me të dhe në zonën e ajrimit. Ngjarja nuk është arritur të parandalohet nga gardianët.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB