
VLORË- Policia e Vlorës ka vënë në pranga drejtuesin e gomones pas incidentit të rëndë ku helika e saj goditi një qyetar duke e lënë të lënduar rëndë. Raportohet se në pranga është vënë 42-vjeçari i identifikuar me inicialet F.T. Ky i fundit akuzohet për plagosje të rëndë me dashje. Ndërkohë fatmirësisht i lënduari ndodhet në spital nën kujdeisn e mjekëve dhe në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Ai u dërgua një ditë më parë me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në vendin e quajtur “Shën Jani”, Karaburun, u godit nga helika e një mjeti lundrues gomone, në det dhe mbeti i dëmtuar në këmbë shtetasi A. K., 60 vjeç, banues në Tiranë, ju bëjmë me dije se në përfundim të veprimeve proceduriale, nga strukturat e hetimit në DVP Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit lundrues, shtetasit F. T., 42 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. 60-vjeçari aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Mjeti lundrues gomone u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme./ZËRI