Aktualitet

Pse nuk u prit vendimi i KAS për Himarën? Sqarimi nga Presidenca: Gjithçka ligjore, Beleri nuk pengohet ta ankimojë!

Presidenca sqaron se dekretimi i datës së zgjedhjeve të reja, nuk e pengon Fredi Belerin të aknimojë vendimin në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).

k.m.
Pse nuk u prit vendimi i KAS për Himarën? Sqarimi nga Presidenca:
Foto ilustruese

TIRANË- Presidenca ka dalë sërish me një sqarim për caktimin e datës së zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës. Në një përgjigje për "TopChannel", Presidenca bën me dije se presidenti u njoftua për vakancën në kreun e Bashkisë së Himarës, ndaj ashtu siç e përcakton sistemi ligjor shqiptar ka 48 orë kohë të veprojë. Por në të njëjtin sqarim, Presidenca sqaron se dekretimi i datës së zgjedhjeve të reja, nuk e pengon Fredi Belerin të aknimojë vendimin në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).

"Presidenti i Republikës nuk është organi që konstaton vakancën, sikurse nuk merr në shqyrtim procedurën që i ka paraprirë asaj dhe as është instancë e ankimit administrativ. Presidenti vihet në levizje me njoftim. Në sistemin ligjor shqiptar ka vetëm një rrugë ligjore për vënien në lëvizje të Presidentit të Republikës, në rastin e vakancave në qeverisjen vendore. Kjo rrugë është rruga e njoftimit nga Këshilli i Ministrave. Për të shqyrtuar çështjen Presidenti ka në dispozicion vetëm 48 orë,"-ka bërë me dije Presidenca.

Sqarimi i plotë i Presidencës:

Presidenti i Republikes caktoi datën e zgjedhjeve pasi u njoftua zyrtarisht për vakancën e krijuar. Presidenti i Republikës nuk është organi që konstaton vakancën, sikurse nuk merr në shqyrtim procedurën që i ka paraprirë asaj dhe as është instancë e ankimit administrativ. Presidenti vihet në levizje me njoftim. Në sistemin ligjor shqiptar ka vetëm një rrugë ligjore për vënien në lëvizje të Presidentit të Republikës, në rastin e vakancave në qeverisjen vendore. Kjo rrugë është rruga e njoftimit nga Këshilli i Ministrave. Për të shqyrtuar çështjen Presidenti ka në dispozicion vetëm 48 orë. Zgjedhjet e pjeseshme zhvillohen sipas një kalendari të ngushtë ligjor. Afatet ligjore janë detyruese. Procedura për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe procedura për ankimimin e akteve administrative janë që të dyja ligjore dhe bashkëjetojnë me njëra tjetrën. Në rast se midis tyre krijohen përplasje, atëherë është gjykata kompetente që ka fuqinë të zgjidhë përplasjen. Mjetet ligjore për mbrojtjen e interesave të ligjshme nuk shfuqizohen nga procedura e dekretimit të zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi këtë të premte që ti hiqte përfundimisht mandatin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Belerit. Vendimi u dha dhe në prani të këtij të fundit, i cili u shoqërua në ambientet e KQZ me policë. Pas vendimit të marrë nga KQZ, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht si ditën ku do të mbahen zgjedhjet e reja. Vendim i kundërshtuar nga opozita. Gazment Bardhi e ka cilësuar dekretin e Presidentit si antikushtetues. Ndërkohë vendimi solli dhe reagimin e diplomacisë greke. Ministria e Jashtme e Greqisë kërkoi që Fredi Beleri të mund të betohet si eurodeputet në Parlamentin Europian. Fredi Beleri u arrestua më 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 Majit dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për blerje votash. Ndërkohë Gjykata e Posaçme e Apelit e ka dënuar Belerin me 2 vjet burg./ZËRI

Poll

MOS HUMB