TIRANË- Krenar Lilaj, shefi i Shërbimit Anestezi Reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë në një deklaratë për mediat, foli në lidhje me situatën emergjente që u paraqit mbtrëmjen e djeshme në këtë strukturë, pas ndërprerjes së energjisë elektrike.
Lilaj se defekti ishte tepër i rëndë, por theksoi se pacientët me aparat të ventiluar janë të pajisur me ‘backup’, duke mundësuar funksionimin edhe pas ndërprerjes së energjisë.
Sipas tij, trajtimi i pacientëve u krye në mënyrë të kontrolluar edhe tek reanimacioni i kardiologjisë, ku u transferuan pas ndërprerjes së energjisë elektrike.
“Trajtimi i këtyre të sëmurëve vazhdoi normalisht. Jo vetëm trajtimi i asistencës respiratore, por edhe trajtimi në vazhdim pasi këta të sëmurë mjekimin marrin përmes aparateve që janë me backup. Flitej për një defekt të rëndë dhe koha e rikthimit të energjisë ishte e pa konfirmuar. Në këto kushte për të shmangur mosfunksionimin e një kohëshëm, të disa aparateve respiratorë vendosëm kalimin e pacientëve në repartin e spitalit ngjitur, pra 20 metër më larg duke siguruar trajtimin në kushtet e reja. Vendosëm që të tranferonimin 10 të sëmurë, nga të cilët 9 ishin në respirator të drejtuar. Gjatë transportit u përdor respirator portativ”, tha Lilaj.
Ndërkohë që Lilaj nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se pse nuk funksionuan gjeneratorët.
“Kjo nuk është pyetje që më përket mua, por instancave të tjera”, u shpreh Shefi i Reanimacionit.
Lilaj u pyet dhe për rastin e vdekjes së të dënuarit, Mihal Mërkuri, i cili ishte shtruar më 18 janar 2026 në Reanimacionin Qendror, dhe ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Lilaj deklaroi se gjendje e Mërkurit ka qenë tejet e rëndë që në momentin e shtrimit dhe ndërhyrjes, dhe humbja e jetës së tij, nuk ka ardhur si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike.
“I dënuari vdiq pasi ishte në gjendje të rëndë me hemorragji. Furnizimi me energji elektrike u kthye rreth orës 09:45”, vijoi Lilaj deklarimin e tij. /ZËRI

