Aktualitet

Protestë në Tiranë për Gazën: Të ndalet lufta

Qytetarë të shumtë, me flamuj shqiptarë dhe palestinezë në duar, por edhe me pankarta, thanë se luftimet në Rripin e Gazës duhet të marrin fund.

D.XH
Protestë në Tiranë për Gazën: Të ndalet lufta
Protesta

TIRANË- Dhjetëra qytetarë shqiptarë kanë dalë sot në një protestë në Sheshin Skënderbej, për situatën në Gaza. Protestuesit mbanin në duar flamuj të Palestinës dhe pankarta të ndryshme ku shkruhej “Palestina e lirë”, “Të ndalohet lufta”, “Stop bombardimit të Gazës”, “Stop bombardimeve, Izrael”, “Të aplikohet zgjidhja me dy shtete” etj.

Një prej qytetarëve deklaroi se në Gaza po vriten njerëz të pafajshëm dhe se diçka e tillë duhet të marrë fund.

“Vdekjet e civilëve në Gaza janë të patolerueshme, komuniteti ndërkombëtar të reagojë. Ne jemi vëllezër edhe me ata njerëz që vuajnë në Lindjen e Mesme, sepse na bashkon feja. Unë kam ardhur nga Kosova për këtë tubim. Duhet të jemi të gjithë bashkë, për të dhënë një mesazh, për ata njerëz, që po masakrohen dhe nuk kanë ujë e ushqim. Ne nuk bëjmë dot asgjë për momentin, përpos tubimit, masat duhet t’i marrin shtetet. Ne me zemër jemi me ata. Palestina nga këtu është larg, por nga zemrat tona, është shumë afër”, tha një protestues.

Një tjetër qytetar u shpreh se gjithçka që po ndodh me Palestinën është e padrejtë. Ai tha se Izraeli duhet të tërhiqet nga toka palestineze.

“Atje po vrasin pleq dhe fëmijë, që nuk preken as në luftra. Izraeli ka goditur edhe spitalin, edhe ia vunë fajin Hamasin. Duhet që Izraeli të tërhiqet nga toka e Palestinës. Ne jemi këtu për një protestë paqësore. Atje po bëhet krim ndaj njerëzve të pafajshëm”, tha një tjetër protestues.

Hamasi ka sulmuar Izraelin, ndërsa përgjigja e Tel Avivit ishte e menjëhershme. Më tepër se 4800 njerëz kanë vdekur nga sulmet e përgjakshme./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB