
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencën për dosjen e "21 janarit", dosje e cila i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Vendimi u mor pak javë më parë nga Gjykata e Lartë, e cila vendosi që çështja të hetohej nga SPAK.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se në fashikujt përmendet moszbardhja e vrasjes së Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe e gjashtë plagosjeve që kanë ndodhur ditën e 21 janarit, por mungon përgjigjja e ekspertëve italianë për predhën e gjetur në trupin e Aleks Nikës, pasi nga vendi fqinjë nuk ka ardhur ende letërporosia.
Edhe pse sot është shpallur moskompetenca, SPAK ka nisur me hetimet. Gjatë kësaj jave, në SPAK janë paraqitur e veja e Aleks Nikës, Rajmonda dhe xhaxhai i tij ndjerit, Mark Nika. Po ashtu, pak ditë më parë, në SPAK për çështjen ishte edhe ish-kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha. Ky i fundit në një reagim pas regjistrimit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme, dha një koment për mediat, duke thënë se nuk ka urdhëruar pushkatimin e asnjë protestuesi. Por deri më tani, kryedemokrati Sali Berisha, i cili do ta ketë çështjen e dytë në SPAK, deri më tani nuk ka bërë asnjë koment./ZËRI