
TIRANË-E njëjta skuadër që sulmoi me armë dhe vrau në Larushk, në sy të gruas dhe dy fëmijëve Gentjan Bejtjan, dyshohet shumë se ka marrë pjesë dhe në atentatin e organizuar në muajin shkurt 2024, kundër biznesmenit Ardjan Gjeloshi në Kurbin. Në ngjarjen e ndodhur mbeti i plagosur Gjeloshi ndërsa u vra në vend, ekonomisti i firmës së tij, Selman Mihana. Gazetari Elton Qyno siguron se indiciet e policisë dhe prokurorisë se në dy ngjarjet kriminale të rregjistruara përkatësisht në 10 shkurt dhe 15 Mars 2024, kanë të njëjtë skuadër vrasësish, erdhën pasi të dyja ngjarjet kishin të njëjtën dinamikë veprimi.
Indiciet:
4 autorët kanë qëlluar me armë kallashnikovi në drejtim të Ardjan Gjeloshi, por pa mundur ta vrasin objektivin. Ata përdorën një automjet “Range Rover”, të cilin i kishin vendosur fenelina policie dhe hynë në oborrin e zyrave ku ushtron biznes Ardjan Gjeloshi, nga ku qëlluan më pas me 4 armë automatike. Policia gjeti poshtë urës së lumit Mat makinën e djegur dhe 4 automatikët, por nuk mundi të bjerë në gjurmët e autorëve.
Por e njëjta skemë ka ndodhur gati 1 muaj më pas në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, ku dyshohet se e njëjta skuadër e përbërë nga 4 vetë, të hipur në një makinë “Range-Rover”, hyjnë në oborrin e shtëpisë së Gentjan Bejtjas dhe vrasin me 45 plumba këtë të fundit.
Atentati ndaj Ardjan Gkjeloshit
Ngjarja ndodhi në datën 10 Shkurt, ku persona të veshur si policë, dhe të armatosur rëndë, qëlluan me breshëri arme në drejtim të një biznesi inertesh në pronësi të Ardjan Gjeloshit. Vetë Gjeloshi, shpëtoi, pasi arriti që të fshihej nga autorët në zyrën, e tij, edhe pse dy plumba e lanë të plagosur. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ekonomistin 70-vjeçar Selman Mihana, i cili gjeti vdekjen në vendngjarje, duke mos u kursyer nga autorët, edhe pse ai nuk ishte shënjestra kryesore e tyre. Në media u tha se Gjeloshi kishte dijeni për disa ngjarje kriminale të ndodhura në veri të vendit, megjithatë as sot e kësaj dite, nuk janë publikuar të dhëna konkrete, e madje as një imazh i Gjeloshit, që rezulton një biznesmen ‘fantazëm’.
Ekzekutimi i Gentjan Bejtjas
Gentjan Bejtja u ekzekutua pasditen e 15 marsit 2024 brenda oborrit të banesës së Larushk. Autorët dyshohen të kenë qenë katër, tre kanë marrë pjesë në sulm ndërsa tjetri i ka pritur në makinë. Mbi Bejtjan janë qëlluar 50 plumba, 30 prej të cilëve kanë rezultuar fatal dhe e kanë prekur në fytyrë e trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Vetëm dy të arrestuar ka lidhur me ngjarjen, Ilir Beqaraj dhe Edison Haxhiu.
Ilir Beqaraj akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, ndëra Edison Haxhiu akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”./ZËRI