
TIRANË- Franc dhe Hajdar Çopja kishin vendosur që të “pastronin” paratë që fitonin nga trafiku i drogës. Në dosjen e SPAK, përmenden Franc Gergely (Çopja), Arben Lamçja, Dorian Dyli, kishin përfshirë Maklen Micin dhe Bashkim Likën, e po ashtu edhe persona të tjerë të paidentifikuar që ishin të përfshirë në zyrën e këmbimit valuator “B. LIKA Sh.p.k”. Pastrimi i parave të drogës ka nisur që nga viti 2020 në Tiranë me biznesin e këmbimit valuator që hapet tek “Dollari”, në qendër të Tiranës. Bazuar në komunikimet e “SkyECC”, Franc Çopja komunikon me Marklen Micit, të cilit i flet për 2.3 milion euro. Paratë, sipas Çopjas, i përkisnin Arben Lamojas dhe disa personave të tjerë. E se për çfarë do përdoreshin, nuk dihet. Por në pikën e këmbimit valutor nuk kishte vetëm para, pasi në biseda flitej edhe për flori. Në një rast, “vjen”10 kg flori i pastër 24 karat; e po ashtu edhe 30 kg të tjera. Floriri është sjellë nga jashtë dhe është lënë në biznesin e kamufluar të Çapjave.
Mici, Rexhino Doçi, Arben Lamçja dhe Dorian Dyli, merrnin paratë nga kjo pikë valutore dhe i lëviznin brenda ose edhe jashtë vendit për llogari të vëllezërve Çopja. Ka dhjetra raste që secili prej tyre merr ose dërgon shuma ‘të vogla’ parash tek persona të tjerë. Por po ashtu, ka edhe një pasqyrë sesi vëllezërit bënin biznes në Shqipëri. Dhe flitet për shuma të mëdha parash!
121 mijë euro i kanë dhënë një personi të quajtur “Nazi”. Çopja del se ka me qera një biznes pranë Fakultetit të Drejtësisë, por kërkon të hapë edhe një “kafe”. Për një ambient të tillë ka zgjedhur zonën e Gardës së Republikës, ku pronari i kërkonte 1.200.000 Euro, por SPAK nuk e ka zbuluar nëse blerja është bërë. Një tjetër detaj interesant është episodi i datës 13.09.2020, ku Rexhino Doçi shkon tek “Boli” dhe merr 1.100.000 euro. Se cili është ky person, SPAK nuk e identifikon.
RASTET E “TRANSPORTIT”
➤ Më datë 11.08.2020 ora 07:12:27, shtetasi Franc Gergely i ka kërkuar shtetasit Dorian Dyli se duhet të takojë një kambist dhe të tërheqi shumën monetare prej 121.000 euro. Shtetasi Dorian Dyli ka dërguar foto shtetasit Franc Gergely dhe më pas i ka dërguar mesazhin: "Jane dy aty Ngjit e ngjit". Në bisedat e dërguara shtetasi Franc Gergely i tregon shtetasit Dorian Dyli se duhet të shkoj tek ai me Blu dhe të kërkoj për personin e quajtur Nazi. Fillimisht shtetasi Dorian Dyli ka shkruar tek Exchange Iliria dhe ka konstatuar se Nazi nuk është aty. Më pas shtetasi Franc Gergely i ka kërkuar shtetasit Dorian Dyli të kërkoj personin e quajtur Keno
➤Rexhino Doçi, sipas porosisë dhe orientimit të shtetasit Franc Gergely (Çopja), ka marrë me qira një ambient në rrugën "Milto Tutulani", pranë Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, me aktivitet bar-kafe, të cilin e ka përdorur për të formalizuar të ardhurat e paligjshme të shtetasit Franc Gergely, të gjeneruara nga veprimtaria kriminale e trafikimit të drogës. Në raste të përsëritura shtetasi Rexhino Doçi, ka marrë nga persona dhe vende të ndryshme vlera monetare të konsiderueshme të cilat më pas i ka dërguar në destinacione të tjera sipas porosive dhe orientimeve të marra nga shtetasi Franc Gergely (Çopja).
➤ Me datë 05.08.2020, shtetasi Franc Gergely (Çopja) i ka kërkuar shtetasit Rexhino Doçit të shikoj për një ambient bar-kafe në Tiranë për të hapur një biznes. Më datë 11.08.2020, shtetasi Rexhino Doçi, informon shtetasin Franc Gergely (Çopja) se është takuar me shtetasin Xh.D. dhe se kanë biseduar në lidhje me pronën që ky i fundit ka në Tiranë në afërsi të zonës ku ndodhet Garda e Republikës. Sipas shtetasit Rexhino Doçi, shtetasi Xh.D. ka kërkuar 1.200.000 Euro për të shitur pronën e tij. Më datë 18.08.2020, shtetasi Franc Gergely (Çopja) e këshillon dhe orienton shtetasin Rexhino Doçi, të cilit i shkruan se, nëse do hapin lokalin nuk duhet ti thotë asnjë personi se ai (Rexkino Doçi) është pronari. Më datë 25.08.2020, shtetasi Rexhino Doçi e informon shtetasin Franc Gergely (Copja) të cilit i thotë se është takuar me pronaren e një ambienti që ndodhet përballë Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë. Sipas Rexhino Doçit për këtë ambient mund të bëhet një marrëveshje 8-vjeçare me qira 70.000 lekë në muaj. Më datë 29.08.2020, shtetasi Rexhino Doçi me porosi të shtetasit Franc Gergely (Çopja) ka shkuar në afërsi të zonës ku ndodhet Casa Italia në Tiranë dhe ka marrë shumën prej 3000 Euro nga një person i paidentifikuar. Kjo shumë monetare është përdorur më pas prej tij për pagimin e qirasë së ambientit që ai ka marrë me qira për llogari të shtetasit Franc Gergely (Copja).
➤ Më datë 09.09.2020, shtetasi Rexhino Doçi sipas porosisë së shtetasit Franc Gergely (Çopja), ka marrë në zonën e quajtur 21 në Tiranë shumën prej 40.000 Euro. Më pas, shtetasi Rexhino Doçi, me porosi të shtetasit Franc Gergely (Çopja), i ka dërguar shumën prej 15.950 Euro personit i cili bën rimbushjen e aparateve telefonike SkyECC. Më datë 10.09.2020, shtetasi Franc Gergely (Çopja) i dërgon shtetasit Rexhino Doçi numrin e celularit 069***** dhe më pas i kërkon që ti dërgoj shumën prej 25.000 Euro poseduesit të këtij numri telefoni.
➤Më datë 13.09.2020, shtetasi Rexhino Doçi sipas porosive të shtetasit Franc Gergely (Çopja) ka shkuar te personi i quajtur Boli nga i cili ka marrë shumën prej 1.100.000 Euro. Më datë 04.10.2020, shtetasi Rexhino Doçi sipas porosive të marra nga shtetasi Franc Gergely (Çopja) ka marrë shumën prej 45.000 Euro tek diga e liqenit Artificial në Tiranë./ZËRI