
TIRANË- Erdi Lika, 20 vjeç është arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit "Tempulli 4", më 10 Shtator. Lika u kap në flagrancë sapo mori në dorëzim drogën sintetike të llojit LSD, e cila kishte ardhur nga Serbia përmes shërbimit postar.
Hetimet e antidrogës zbuluan se i riu blinte drogën sintetike në ëebsite online dhe çdo 10 ditë furnizohej me rreth 300 doza. Këto doza ai i shiste në zona të njohura të Tiranës si “Ali Demi” dhe “Blloku”, kryesisht nëpër lokale nate, me një çmim prej 3000 lekë për dozë.
Lika përdorte Instagramin për të marrë porositë nga blerësit që njihte personalisht, ndërsa për klientët e rinj, ai përdorte motorë të shërbimit delivery për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë, duke u munduar të mos binte në sy të autoriteteve. Krahas arrestimit të 20-vjeçarit, në këtë operacion u prangosën edhe 24 persona të tjerë, ndërsa tre individë mbeten ende në kërkim nga policia./ ZËRI