
LUSHNJE- Vjedhja e makinave ishte një nga aktivitetet e shumta që kryente Laert Haxhiu dhe grupi i tij. "Ushtarët" e tij kishin të gjithë një skemë, e cila funksionte gjithmonë për të vjedhur mjete që më pas do i përdornin për ngjarje kriminale. Shënjestronin çifte që kryenin marrëdhënie seksuale në makinë, apo të rinj që kishin 'hapur krahun' për të konsumuar lëndë narkotike.
“Jemi Policia, mos lëvizni!,”-me këtë fjali përballeshin "të shënjestruesit" dhe detyronin çiftet e kapur në marëdhënie seksuale apo duke pirë drogë të zbrisnin nga mjeti. Më pas, e merrnin makinën dhe largoheshin pa lënë gjurmë.
Gazetari Elton Qyno ka treguar për "OraNews" se ishte bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani ka treguar disa raste sesi ishin vjedhur disa automjete. Një makinë tip “Mercedez Benz” e gjendur dhe sekuestruar në garazhin e Enio Meçaj në zonën e “Astirit”, është vjedhur nga vetë Artan (Marjus) Tafani dhe Lulzim Arapi. Enio Meçajn e kapën teksa po konsumonte kokainë brenda makinës së tij. Ndaj edhe Tafani dhe Arapi, kanë zbritur nga makina e Laertit kanë marrë "Benzin", kjo pasi edhe i riu zbriti pa shumë rezistencë duke menduar se ishte kapur nga Policia.
“...Jemi policia mo lëviz...”-i janë drejtuar të riun, i cili ishte duke pirë kokainë.
Kjo makinë është çuar në Sarandë, për t'u përdorur për survejimin para vrasjes së Renato Çaushit.
Por në pamundësi për të gjetur shënjestrën, “Benzi” i vjedhur është sjellë në Tiranë, duke u mbajtur i mbyllur në ambjentet e një garazhi, derisa në muajin qershor u sekuestrua nga policia.
"Benzi" duket se ka qenë mjeti i preferuar i grupit, pasi një tjetër e kanë pikasur në rrugën Tiranë-Elbasan. Tafani, Lulzim Arapi dhe Firdeus Berberi, kanë kapur dy të rinj teksa kryenin marëdhënie seksuale brenda në makinë. Vajza ka zbritur nga mjeti duke qarë, ndërsa i riu fillimisht nuk ka pranuar.
"Ma ka blerë babai makinën dhe nuk e lë,"-tha i riu sepse ka pasur dyshime se personat që i ishin afruar nuk ishin policë. E për më tepër, ka mbyllur makinën nga brenda. Të demotivuar, tre shokët e Haxhiut janë larguar nga rruga duarbosh.
Por skema e ngjashme u përdor me sukses për grabitjen e një mjeti tip “Fiat Chroma”.
"Brenda mjetit me targë AA913ML ndodheshin E.H. dhe e dashura e tij E.L. Dy të rinjtë kishin parkuar makinën në zonën pas “Casa Italia” dhe teksa kryenin marëdhënie seksuale, janë përballur me persona të panjohur dhe të armatosur me pistoleta me silenciatorë. Sips dëshmisë së E.H., dy personat që e kishin rrethuar kanë dalë nga një automjet “Mercedes-Benz”. Njëri prej tyre e ka goditur me shuplakë, ndërsa tjetri që mbante pistoletë i ka pohuar: ”…Policia mos lëviz…dilni nga makina…”. Ky person ishte i gjatë rreth 180 cm, trup i dobët dhe me flokët të ngritura përpjetë, dhe kur fliste kishte theksin e Beratit dhe Fierit. E.H. ka dalë nga makina dhe ky person i ka vendosur sendin si pistoletë në pjesën e kurrizit dhe ai është ulur në gjunjë në rrugë pranë mjetit. Në këtë kohë personi tjetër, i cili ishte trup i shkurtër, me trup mesatar, i cili mbante një bluzë me zinxhir, me kapuç në kokë është afruar pranë tyre, ka dalë nga pjesa e pasme e mjetit dhe prej andej ai ka zbritur "E", e cila ishte në sediljen e pasme të mjetit. Në kohën që të dy këta persona po merreshin me ta, automjeti tip “Benz Mercedes C Clasik”, është ndezur ka dhënë gaz dhe me shpejtësi është larguar,"-shkruhet në dosjen e publikuar.
Pasi e kanë marrë mjetin, grabitësit janë larguar në drejtim të Astirit.
Kjo makinë u përdor në vrasjen e Besnik Hidës në Lushnje.
Vetë Laert Haxhiu mbahet ende në burgjet e Greqisë, ndërkohë që në dy raste gjykata ka bllokuar ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Haxhiu është në kërkim për masakrën e Lushnjes në të cilën mbetën të vrarë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, ndërsa së fundi krimeve të tij i janë shtuar dhe 6 vrasje të tjera të zbuluara nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani./ZËRI