
FRANCË-Pas Turqisë edhe mediat franceze i kanë kushtuar një artikull planit për krijimin e "Shtetit Bektashi" brenda Tiranës. Le Parisien shkruan se kryeministri Edi Rama kërkon të promovojë tolerancën fetare duke i ofruar bektashinjve një pjesë territori.
“Shteti më i vogël në botë është gati të lindë. Kryeministri shqiptar Edi Rama, një katolik jo praktikues, njoftoi të shtunën në rubrikat e New York Times synimin e tij për të krijuar një ent të ri të qeverisur nga bektashinjtë për të promovuar një islam tolerant. Një lloj ‘Vatikani mysliman’, me një sipërfaqe prej 0,11 km², sa një e katërta e sipërfaqes së Qytetit të Vatikanit”, shkruan prestigjiozja franceze Le Parisien.
Sa i përket funksionit të tij, në artikull thuhet se "ky shtet i ri do të vendoset në lindje të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës dhe do të shërbejë si një shtëpi politike për myslimanët bektashi, komuniteti i katërt fetar i Shqipërisë pas myslimanëve sunitë, të krishterëve ortodoksë dhe katolikëve. Ajo do të ketë administratën e saj, pasaportat dhe kufijtë e saj. Një muze që tregon historinë e bektashinjve dhe një dhomë lutjesh do të instalohen gjithashtu atje. Lideri aktual shpirtëror Baba Mondi, i thirrur për t'u bërë kreu i shtetit, kërkon gjithashtu një shërbim inteligjence. Nënshtetësia do t'u jepet vetëm anëtarëve të klerit dhe administratës së tij.
Konsumimi i alkoolit do të lejohet dhe gratë do të jenë në gjendje të veshin çfarëdo veshje që dëshirojnë, sipas praktikave tolerante të rendit bektashi, një degë e islamit shiit të ndikuar nga sufizmi , i cili mbron një vizion tolerant dhe mistik të fesë, të hapur ndaj të tjerëve fetë dhe filozofitë.
Një ekip ekspertësh ligjorë, duke përfshirë juristë ndërkombëtarë, po hartojnë një tekst që përcakton statusin sovran të shtetit të ri brenda Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për 'The New York Times' thotë se dëshiron t'u japë anëtarëve të Bektashinjve, enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare. Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria. Kreu i qeverisë shprehet se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi. Në një reagim zyrtar, Selia Botërore e Bektashinjve shprehet se ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisë, i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore. Selia Botërore e Bektashinjve shton gjithashtu se kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen dhe se nuk kërkojnë që të kenë ndikim apo pushtet politik./ZËRI