
LEZHË- Është identifikuar autori i plagosjes që ndodhi paraditen e sotme në Lezhë, ku u qëllua me tre plumba Tonin Ndrecaj, shoferi i një furgoni që bënte linjën me pasagjerë nga Laçi. Autori i plagosjes sipas burimeve të Zërit nga policia është shtetasi Marjan Kola, i cili menjëherë pasi qëlloi Ndrecajn me 3 plumba, është larguar me makinën e tij nga vendi i ngjarjes.
Plagosja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti për parkimin mes të dy personave, ndërkohë që në momentin që është qëlluar në drejtim të shoferit, furgoni ka qenë i mbushur me pasagjerë.
Fillimisht ata janë përplasur fizikisht me njëri tjetrin e më pas Marjan Kola, ka nxjerrë armën që mbante me vete dhe ka qëlluar në drejtim të 35-vjeçarit Tonin Ndreca i cili bënte me furgon linjën Laç-Lezhë.
Edhe pse ngjarja ka ndodhur në një zonë të populluar të qytetit të Lezhës, siç është ajo pranë tregut, policia nuk ka mundur që të vërë në pranga autorin.
Në vendin e ngjarjes është gjetur një kaçavidë, që dyshohet se i përkiste shoferit të furgonit, i cili i ka marrë plumbat në pjesën e këmbës. Ai është dërguar në spitalin e qytetit të Lezhës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 11:00, në qytet Lezhë, në afërsi të shinave të trenit, gjatë një konflikti të çastit që dyshohet për parkimin e automjeteve, shtetasi M. K. banues në Kurbin, ka plagosur me armë zjarri shtetasin T. N. 35 vjeç, banues në Laç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar është larguar menjëherë pas ngjarjes dhe vijon ndjekja nga ana e shërbimeve të Policisë për lokalizimin dhe kapjen e tij. Në vendngjarje, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor.
/Zëri.ai