
FIER- Disa prindër në zonën e Cakranit kanë reaguar pas sherrit të mëngjesit të sotëm në gjimnazin e zonës, ku një 17-vjeçar plagosi me thikë një bashkëmoshatar të tijin pas një sherri. Banorët thonë se kjo nuk ishte hera e parë që në shkollë ndodhin këto raste, ndërsa thanë se ka ndodhur edhe që nxënësit të dhunojnë mësuesin.
“Duhet të merren masa. Duhet të ketë polici aty. Më kryesorja që është për ne si popull, institucioni i parë është parlamenti që i bën ata të dhunshëm që në momentin e parë që i mbajmë në prehër, që lindin. Nuk është hera e parë, është hera e tretë e katërt. Nuk janë bërë publike se janë njerëz të partisë. Drejtoresha aty është partiake. Aty dhe mësuesi, nxënësit janë bërë bashkë 3, 4 dhe kanë rrahur mësuesin,'-u shpreh për mediat banori.
17-vjeçari i plagosuri u transportua në spitalin Rajonal Fier, për ndihmë mjeksore ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori është shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme, teksai i është sekuestruar thika me të cilën goditi adoleshentin tjetër. Burime nga drejtoria e Policisë së Fierit pohojnë se autori ka deklaruar se janë zënë sapo kanë hyrë në oborr të shkollës, pasi kishin debatuar për një postim në rrjetin social Snapchat mbrëmjen e djeshme./ZËRI