
KUKËS-Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja e një ditë më parë (19 shkurt) në Kukës. Sebastian Muçmata, i cili dyshohet se plagosi Elvis Halilajn, kushëririn e kryebashkiakut të Kukësit, Albert Halilaj, ka deklaruar se konflikti nisi për shkak të detyrës së vëllait të tij. Vëllai i autorit, Zenel Muçmata punon në Bashki në funksionin e Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Elvis Halilaj pretendon se ka ndikuar ose ka ndërhyrë drejtpërdrejtë për largimin e tij nga puna.
Sebastian Muçmata: Me faktin dhe akuzën u njoha dhe për sa më pyesni dhe më akuzoni kam për të shtuar se nuk kam shkuar për të vrarë njeri, por në momentin që kam shkuar, aty Qerimi (vëllai i të plagosurit) i ka drejtuar armën babait tim Izetit (Muçmata), në këto momente kam shkuar menjëherë te makina dhe kam marrë një armë tip pistoletë që e kisha në bagazh dhe kam qëlluar në drejtim të rrugës ku ishin dy vëllezërit Qerimi dhe Elvisi Halilaj, po të kisha qëllim për t’i vrarë unë e kisha atë mundësi, por nuk kam pasur qëllim vrasjen e asnjë personi. Unë, kur kam mësuar se pikërisht shtetasit Qerim e Elvis Halilaj kishin rrahur sot te agjencia e Bicajve vëllanë tim Zenelin, i cili ka ngelur pa ndjenja i shtrirë në tokë.
Si ndodhi ngjarja
Përplasja mes të dyve ka nisur në vendin e quajtur “Sheshi i Agjencisë Bicaj” për motive të dobëta, ku Halilaj e ka goditur me grushte Muçmatën. Pas kësaj Elvis Halilaj është larguar në drejtim të fshatit të tij, por është ndjekur nga autori Sebastian Muçmata dhe sapo Halilaj ka ndaluar pranë banesës, autori ka qëlluar në drejtim të tij. 29-vjeçari u vetëdorëzua një natë më parë në Polici, disa orë pasi plagosi Elvis Halilajn në fshatin Bicaj të Kukësit. Halilaj është dhe kushëri i kryetarit të Bashkisë Kukës, Albert Halilaj./ZËRI