Aktualitet

Plagosi komshiun në Durrës dhe u arratis, autori nipi dhe shoferi i deputetit të PD-së

Gentian Kuqi, 50-vjeç plagosi me armë zjarri komshiun e tij, shtetasin Mikel Spirollari, 40 vjeç

E.K
Plagosi komshiun në Durrës dhe u arratis, autori nipi dhe shoferi i
Pamje nga zona ku ndodhi plagosja

DURRËS- Detaje të reja nga plagosja që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Durrës, ku autori i ngjarjes është nipi dhe njëherësh shoferi i deputetit Ferdinand Xhaferraj. Gentian Kuqi, 50-vjeç plagosi me armë zjarri komshiun e tij, shtetasin Mikel Spirollari, 40 vjeç, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndëuar për jetën. Sipas weblajm, Kuqi është nipi dhe njëherësh punon si shofer i deputetit të Partisë Demokratike.

Shkak i konfliktit mes dy komshinjve mësohet se ka qenë zhurma e shkaktuar nga banesa e të plagosurit. Si pasojë e këtij sulmi, Mikel Spirollari ka marrë dy plumba në trup dhe është transportuar me urgjencë në spital për trajtimin e plagëve të tij të rënda.

Pas ngjarjes, Gentian Kuqi është arratisur në drejtim të paditur dhe policia aktualisht po vijon hetimet për të zbuluar vendndodhjen dhe kapjen e tij. Ndërkohë në zonë ishin mbrëmjen e djeshme  shumë forca policie për të siguruar qetësinë dhe vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.

Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për bashkëpunim nga ana e qytetarëve për të zbuluar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të ndaluar personin e dyshuar për këtë akt kriminal.

NJOFTIMI I POLICISË:

Në lagjen nr 4 në Durrës,  si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi  G.K, 50 vjeç, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin  M.S, 40 vjeç, (komshi), i cili është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën dhe vijon puna për kapjen e autorit, i cili pas plagosjes së shtetasit M.S, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Grupi hetimor nën drejtimin e  Prokurorit vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes. Pas sqarimit të rrethanave të ngjarjes do të ketë njoftim të dytë.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB