
TIRANË- Policia e Shtetit ka vënë 20 mijë euro shpërblim për personat që kanë dijeni për vendndodhjen e Klerend Bozhanit, 42-vjeçarit që qëlloi disa herë me armë zjarri efektivin e forcave "Shqiponja" Edlir Alleshi në rrugën "Hysen Xhura" në zonën e "Kinostudios". Ai është larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit ndërsa Policia është vënë në ndjekje të tij.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë/Informacion shtesë Shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga Renea, po vijojnë ndjekjen dhe kontrollin e zonës, për kapjen e personit të armatosur, shtetasit Klerent Bozhanaj, 42 vjeç, që plagosi punonjësin e Policisë, inspektor E. A. Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që kushdo që ndeshet të bëjë kujdes pasi ky shtetas është i armatosur, dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë. DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.
Ngjarja e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në zonën e "Kinostudios" në rrugën "Hysen Xhura". Efektivi Edlir Alleshi, pjesë e forcave "Shqiponja" ka qenë bashkë me kolegët e tij duke kryer një aksion në zonë, kur ka ndaluar dhe nisur të kontrollojë autorin Klerend Bozhani. Ky i fundit i armatosur ka hapur zjarr ndaj tij duke e lënë të plagosur. Efektivi mësohet se ka marrë disa plumba në bark dhe këmbë. Ai ndodhet në spitalin e Traumës, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën dhe po i nënshtrohet një operacioni. Ndërkohë Policia është vënë në ndjekje të autorit. Zona ku ndodhi ngjarja është rrethuar dhe po bëhet krehje e saj./Zëri