Aktualitet

Peticion online për Pishë-Poro Nartën! Qytetarët nga diaspora kërkojnë nga kryeministri Rama transparencë dhe ndalim të punimeve

“Për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare dhe ruajtjen e zonave natyrore të Shqipërisë”- kështu titullohet peticioni i cili është shpërndarë online, ku të gjithë qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit do të mund të firmosin kundër shkatërrimit të këtij peisazhi natyror.

l.k
Peticion online për Pishë-Poro Nartën! Qytetarët nga
Zona ku do ndërtohet në Pishë-Poro dhe foto nga peticioni

VLORË- Çështja e Zvërnecit duket se nuk do kalojë vetëm më protesta nga banorët, aktivistët dhe qytetarët. Tashmë një peticion online po qarkullon në rrjet, ku shqiptarët nga diaspora kanë ndërmarrë këtë nismë online për të mbrojtur zonën e Pishë-Poro Nartës nga ndëtimi.

“Për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare dhe ruajtjen e zonave natyrore të Shqipërisë”- kështu titullohet peticioni i cili është shpërndarë online, ku të gjithë qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit do të mund të firmosin kundër shkatërrimit të këtij peisazhi natyror.

Peticion online për Pishë-Poro Nartën! Qytetarët nga
Foto nga peticioni

Qytetarët nga diaspora kërkojnë nga kryeministri i vendit, Edi Rama transparencë për projektin, pezullimin e vendimit për ndërtim deri në konsulimin publik me qytetarët, forcimin e statusit të mbrojtjes së parqeve kombëtare dhe disa kërkesa të tjera.

“Ne, qytetarët Shqiptarë dhe anëtarët e diasporës, shprehim shqetësimin tonë lidhur me menaxhimin dhe dhënien e zonave natyrore, bregdetare dhe malore të Shqipërisë për projekte private investimi, vendas apo të huaja, në kuadër të të ashtuquajturave “investime strategjike”.

Këto vendime prekin zona me vlera të jashtëzakonshme ekologjike, kulturore dhe historike, si ishulli i Sazanit, zona e Zvërnecit, lugina e Thethit, si dhe territore të tjera të ndjeshme në vend.

Ne besojmë se zhvillimi ekonomik nuk duhet të bëhet në dëm të transparencës, mbrojtjes së mjedisit dhe sovranitetit mbi pasuritë publike.

Nën përgjegjësinë e qeverisë shqiptare të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, ne kërkojmë:

Kërkesat tona:

 • Publikimin e plotë dhe transparent të të gjitha marrëveshjeve, koncesioneve apo partneriteteve që lidhen me zonat natyrore dhe strategjike (Sazani, Zvërneci, Thethi dhe zona të tjera të ndjeshme)

 • Pezullimin e çdo vendimi të pakthyeshëm deri në konsultim publik kombëtar

 • Organizimin e referendumit ose konsultimeve qytetare për projektet me ndikim afatgjatë mjedisor

 • Forcimin e statusit të mbrojtjes së parqeve kombëtare, rezervave dhe trashëgimisë kulturore

 • Ndalimin e procedurave jo transparente ose të përshpejtuara në favor të investitorëve privatë apo të huaj

 • Garantimin që asnjë konflikt interesi apo trajtim preferencial të mos dëmtojë interesin publik

Ne theksojmë se zonat natyrore, bregdetare dhe malore të Shqipërisë janë pasuri e përbashkët e popullit Shqiptar dhe duhet të ruhen për brezat e ardhshëm.

Ju lutemi, mos bëni donacion. Kjo është e panevojshme, pasi fondet i kalojnë platformës dhe jo kauzës sonë.”- shkruhet në peticionin e bërë publik./ZËRI

Poll

MOS HUMB