
TIRANË- Është duke u zhvilluar këtë të premte në Tiranë Ministeriali i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, takim ky që i paraprin Samitit të Procesit të Berlinit të hënën e 16 tetorit.
24 delegacione nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të BE-së janë pjesë e këtij ministeriali që drejtohet nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani.
Pas hapjes së ministerialit nga ministri Hasani në tryezën e përbashkët, liderët bënë foton familjare, por ajo që ra në sy ishte mungesa në këtë foto e ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç. Ky i fundit kishte zhvilluar më herët një takim kokë më kokë me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Mësohet se ministri seb Daçiç bojkotoi foton familjare pasi ka patur debat mes tij dhe ministres së Jashtme gjermane në lidhje me situatën në veri të Kosovës dhe sulmit nga grupi paramilitar serb. Daçiç nuk ka pranuar të bëjë foto, për shkak të prezencës së flamurit të Kosovës në këtë takim.

Punimet e ministerialit do të vijojnë me dyer të mbyllura dhe pas mesditës do të ketë konferencë të përbashkët për shtyp. Baerbock sipas mediave gjermane do të tentonte një takim të përbashkët mes Daçiç dhe Gërvallës, i cili deri tani nuk ka ndodhur.
Nisma e Procesit të Berlinit e ndërmarrë më 2014 nga kancelarja Angela Merkel synon arritjen në këto vende të standardeve, normave dhe praktikave të BE-së. Me Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë ndërkohë po zhvillohen bisedimet e antarësimit. Bosnje-Hercegovina konisderohet si kandidate për antarësim ndërsa Kosova si kandidate e mundshme për antarësim.
Ministrja e Jashtme gjermane Baerbock (nga partia Të Gjelbërit) para nisjes për në Shqipëri bëri thirrje që të gjitha palët duhet të intensifikojnë angazhimin për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. "BE-ja duhet ta mbajë fjalën e dhënë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të çojnë përpara reformat e nevojshme", deklaroi Baerbock. /Zëri.ai