TIRANË- Një 24-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi dyshohet se përndiqte dhe kërcënonte në mënyrë të përsëritur, me qëllim për t'i marrë para. Sipas njoftimit të Policisë, Klevis Gega u kap në flagrancë në momentin kur po merrte shumën e parave.
Nga hetimet dyshohet se 24-vjeçari përdorte profile false në platformat virtuale për të përndjekur dhe kanosur shtetasin D. P., duke e detyruar t’i jepte shumën e kërkuar. Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një shumë parash dhe dy telefona celularë.
Njoftimi i Policisë:
Përndoqi dhe kanosi një shtetas, nëpërmjet profileve të falsifikuara në rrjete sociale, me qëllim për t’i marrë një shumë parash, arrestohet në flagrancë 24-vjeçari.
Pas marrjes njoftim se një shtetas, në mënyrë të përsëritur, përndiqte dhe kanoste nëpërmjet platformave virtuale një shtetas, duke i kërkuar një shumë parash, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Accountet”.
Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi K. G., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap në flagrancë në momentin e marrjes së shumës monetare.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, duke përdorur profile të falsifikuara në platformat virtuale, ka përndjekur dhe kanosur shtetasin D. P., duke e shtrënguar për t’i dhënë një shumë parash.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash dhe 2 aparate celularë.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Përndjekja”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.