ATHINË – Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në lagjen Gazi të Athinës. Dy shqiptarë dyshohet se janë përleshur me tre grekë, duke i qëlluar këta të fundit me armë zjarri.
Në pamjet që janë bërë publike në TikTok, duken 2 agresorët, që të hipur në një makinë qëllojnë me armë mbi 3 grekët, me origjinë nga Kreta. Përpara se të qëllonin, agresorët kanë debatuar me shtetasit grek. Përpos debateve, grupet u përfshinë edhe në sherre me grushte, para se të nxirreshin armët.
Ngjarja ka ndodhur përpara syve të shumë kalimtarëve apo personave të pranishëm në klube të natës. Pas ngjarjes, policia është vënë në kërkim të autorëve. Sipas efektivëve të policisë greke, ka dyshime që agresorët të jenë anëtarë të bandës “Lion”, që dyshohet se ka gisht në ekzekutimin e Pëllumb Islamit nga Delvina në muajt e parë të këtij viti.
Të dyshuarit janë persona me precedent kriminal dhe kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore. Një nga pistat mbetet fakti që të dyshuarit të jenë arratisur drejt Shqipërisë. Fishekët që janë gjetur në vendngjarje janë dërguar në laborator, për t’iu bërë analizat. Ndërsa, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë.
Gjendja shëndetësore e të plagosurve
Dy vëllezërit nga Malia e Kretës, të moshës 29 dhe 34 vjeç, janë në gjendje të rëndë shëndetësore në Klinikën e Neurokirurgjisë të Spitalit “Gennimatas”, me dëmtime në kokë nga plumbat. Me plagë më të lehta po trajtohet edhe shoku i tyre 29-vjeçar, i cili ra përtokë i gjakosur pas sulmit nga dy të panjohurit. Nga ngjarja nuk raportohet për të lënduar të tjerë, por dëme të konsiderueshme materiale janë shkaktuar në një dyqan.
Gjendet ADN në rrobat e të plagosurve në sulmin në Ghazi
Zbardhen fakte të reja në rastin e ngjarjes së përgjakshme që ndodhi në orët e para të së shtunës në Gazi, jashtë një klubi të njohur nate, ku rezultoi se tre të rinj nga Kreta, të cilët kishin ardhur në Athinë për një festë beqarie, janë qëlluar nga dy persona të hipur në xhip.
Sipas informacioneve të fundit, në rrobat e viktimave është gjetur ADN-ja e njërit prej autorëve të sulmit. Megjithatë, aktualisht është e paqartë nëse materiali gjenetik i përket agresorit apo bashkëpunëtorit të tij. Burime policore thonë se ADN-ja duket se ka mbetur në rrobat e njërit prej viktimave, kur agresorët iu afruan dhe njëri prej tyre goditi në fytyrë një të ri.

Oficerët përgjegjës kanë marrë 11 deklarime në lidhje me ngjarjen e përgjakshme, ndërsa po vëzhgojnë materialin nga kamerat e sigurisë së zonës, që mund të kenë regjistruar lëvizjen e autorëve para përleshjes.
Vlerësimi i parë i autoriteteve është se autorët vijnë nga bota e krimit. Deri më tani janë zbuluar nga kamerat, targat e xhipit të zi, ku ndodheshin agresorët. Mjeti ishte marrë me qira dhe policia po përpiqet të gjejë pronarin. Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja 9 mm, të cilat janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve Penale. Tre burrat – dy vëllezërit, 28 dhe 30 vjeç dhe një tjetër 28 vjeç, i cili është plagosur rëndë, janë dërguar në spitalin “Gennimatas”, me lëndime në kokë./ZËRI/