
LUSHNJE-Ka përfunduar pas 4 orësh operacioni i evakuim-shpëtimit në ndërtesën 12 katëshe, ku në katet e para ishte ngritur qendra tregtare "Metropol" e cila u përfshi nga flakët. Operacioni i evakuim-shpëtimit përfundoi rreth orës 18:30. Në operacion për evakuimin e qytetarëve morën pjesë Forcat Renea, Forcat e Sigurisë Kombëtare, Njësitë Shqiponja, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe zjarrfikësit.
Janë evakuuar dhe dërguar në spital për ndihmë mjekësore rreth 39 qytetarë dhe 3 punonjës të zjarrfikëses, për shkak se janë asfiksuar. Mësohet se gjendja e tyre është e qëndrueshme dhe mbeten nën kujdesin e mjekëve.
Njoftimi i policies:
Lushnjë Përfundoi operacioni i evakuim shpëtimit në qendrën tregëtare në Lushnjë. Në operacion për evakuimin e qytetarëve morën pjesë Forcat Renea, Forcat e Sigurisë Kombëtare, Njësitë Shqiponja, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe zjarrfikësit. Në vendngjarje ishin Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Zëvëndës Drejtori i Përgjithshëm Sokol Bizhga, Drejtori Vendor i Policisë Fier Lorenc Panganika, Drejtues të tjerë të DVP Fier dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Janë evakuuar dhe dërguar në spital për ndihmë mjekësore rreth 39 qytetarë dhe 3 punonjës të zjarrfikëses, jashtë rrezikut për jetën. Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Në vendngjarje ishin Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Zëvëndës Drejtori i Përgjithshëm Sokol Bizhga, Drejtori Vendor i Policisë Fier Lorenc Panganika, Drejtues të tjerë të DVP Fier dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Si nisi zjarri
Flakët nisën rreth orës 14:40 minuta dhe situata kaotike vijoi prej 4 orësh. Flakët u përhapën fillimisht në katin e dytë dhe të tretë të qendrës tregtare. Më pas u përhapën edhe në katin e katërt. Eshtë dashur ndërhyrja e forcave RENEA për të bërë të mundur evakuimin e banorëve në apartamente, jeta e të cilëve u rrezikohej nga tymi i madh. Dhjetra njerëz ngelën të bllokuar në ndërtesë dhe në pamjet e publikuara disa nga qytetarët janë përpjekur të dalin nga dritaret dhe nga ballkonët, ndërsa për evakuimin e tyre kanë asistuar edhe forcat zjarrfikëse. Në ndihmë të tyre është dërguar edhe një vinç privat që ndihmoi në nxjerrjen e qytetarëve nga banesa pasi zjarrfikësja e Lushnjes nuk kishte autoshkallë.
Shkaku
Zjarri dyshohet se ka rënë në një dyqan këpucësh në katin e tretë të qendrës tregtare, dhe më pas është përhapur në gjithë qendrën, ndërsa tymi ka përfshirë të gjithë pallatin 12-katësh. Shkak dyshohet të jetë bërë një shkëndijë në një kondicioner në dyqanin ku mendohet se nisi zjarri. Një lokal i cili ndodhej në katin e tretë të këtij pallati 12-katësh ka qenë i gjithi prej druri, çka dyshohet se ka përhapur edhe më shumë dhe më shpejt zjarrin në gjithë qendrën.
Pak pasi ekipet e shpëtimit me ndihmën e forcave RENEA arritën të evakuonin të gjithë banorët në katet e sipërme, zjarri është riaktivizuar përsëri. Flakët kanë përfshirë një bar veror në katin e fundit të ndërtesës, duke djegur dyshemenë dhe disa pemë që ndodhen në tarracë./ZËRI