
LUSHNJE-Situata në qendrën tregtare "Metropol Center" në Lushnje, i cili prej mesditës së sotme (25 dhjetor) është përfshirë nga flakët është normalizuar. Për fat të mirë deri më tani nuk raportohet për viktima, ndërsa personat e asfiksuar po marrin ndihmë mjekësore në urgjencën e spitalit të Lushnjes.
Shefi i urgjencës, Skender Brataj tha se po kontrollohet në çdo derë ka apo nuk ka njeri dhe sipas tij nuk ka asnjë person të bllokuar.
Brataj: Janë krehur 3 godina, për të parë nëse ka ende banorë. Shërbimet e urgjencës janë këtu. Nuk besoj se do ketë pasoja për pacientët në spital. Dy fëmijë ishin 14 vjeç, njëri 7 vjeç. Nuk ka kode të vështira. Janë kontrolluar 3 godinat, po hapet çdo derë për të parë nëse ka persona të tjerë të bllokuar. Por deri tani nuk rezulton asnjë person i bllokuar si në qendrën tregtare si në godinat përreth.
Prej orës 14:30 forcat zjarrfikëse po punojnë për të shuar flakët që kanë rënë në qendrën tregtare "Metropol'. Flakët u përhapën fillimisht në katin e dytë dhe të tretë të qendrës. Më pas u përhapën edhe në katin e katërt dhe më pas në apartamentet që janë lart në godinën e qendrës tregtare që ndodhet mes dy godinave 12 katëshe me apartamente banimi. 35 persona janë dërguar në spital, mes tyre 3 fëmijë dhe katër zjarrfikës pjesë e ekipit të shpëtimit. /ZËRI