
TIRANË- Është përcjellë sot për në banesën e fundit poeti i njohur shqiptar Agim Doçi, i cili u nda nga jeta mëngjesin e të hënës, pas një goditje cerebrale. Ndryshe nga shumë personalitete të tjera, që kanë ndërruar jetë në vendin tonë, për Doçin nuk janë organizuar homazhe nga asnjë prej institucioneve. Bashkëshortja e tij Yllka Doçi është shprehur se asnjë institucion nuk ka qenë pranë tyre në këto ditë të vështira, ndërsa prej 11 vitesh poeti nuk trajtohej me pension të posaçëm, dhe sipas saj nuk është trajtuar kurrë si e meritonte.
“Nuk u vlerësua sa duhet, i është bërë vrasje politike. Askush nuk na u ofrua për homazhe, nuk arriti të merrte as pensionin që i ka takuar prej 11 vitesh”, u shpreh Yllka Doçi.
Por pavarësisht braktisjes nga ana e shtetit, edhe në ceremoninë mortore, të shumtë ishin kolegët që i dhanë lamtumirën Doçit.
Kompozitori Edmond Zhulali u shpreh se “Artisti është gjithmonë një opozitar i lindur, siç është Agimi”. I pyetur nëse poetit i kishte mbetur ndonjë peng, Zhulali tha: “Jeta është e shkurtër, Agimi si të gjithë ne kishte pengje. Pengu i tij ishte thënia e të vërtetës. Ka qenë njeriu që ka patur kurajë të falsë hapur dhe pa doreza. Mendonte me gojë, kishte guximin për ta thënë. Ishte vetvetja”.
Ndër të tjera, kompozitori i njohur tha se me Agim Doçin kanë bërë të gjitha zhanret, “por si për mua si për Agimin, pjesa më e rëndësishme për ne kanë qenë këngët për Kosovën, sepse i kushtohen Shqipërisë. Çështja kombëtare, sublime, që shoqëron çdo njeri është gjëja më e rëndësishme”.
Këngëtarja e njohur, Manjola Nallbani, duke folur për mediat, tha se Doçi ishte një poet dhe një njeri unik, që nuk përsëritet më në vendin tonë.
“Humbëm një njeri të veçantë me kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë me punën e tij sidomos në Luftën e Kosovës. Ishte unik dhe një njeri që nuk vjen më”, tha ajo.
Agim Doçi ishte një prej krijuesve të shumë teksteve të këngëve shqiptare. Në festivalet e këngës ishte fitues i mbi 50 çmimeve, krijues i më shumë se 3.000 teksteve të këngëve që janë kënduar nëpër festivale dhe i kanë rezistuar kohës dhe vijojnë të dëgjohen dhe sot.
Kush ishte Agim Doçi?
Agim Doçi lindi më 9 maj të vitit 1948. Ai u arsimua në Shkodër deri në gjimnaz dhe më pas vazhdoi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë etj. Në vitet e fundit të ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë.
Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabrikën e letër-kartonit. Ai ishte i përfshirë në lëvizjet e dhjetorit të vitit 1990. Doçi ishte autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë për luftën e Kosovës. Mund të përmenden këngë shumë të njohura si “Marrshi i UÇK-së”, “A vritet pafajësia”.
Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’. /ZËRI