
KURBIN- Kristjan Cenaj rrezikon dënimin me burg përjetë për vrasjen dhe zhdukjen e kufomës së 16-vjeçarit, Mariglen Gjonaj. Pretencën për dënimin e Cenajt e ka dhënë në seancën e sotme, prokurori i Lezhës Françesk Ganaj. Sipas organit të akuzës është arritur se 31-vjeçari Cenaj është autori i vrasjes të së miturit, të cilit kishte vendosur që t'i grabiste orën "Rolex".
Pretenca është dhënë, tashmë vendimi mbetet për t'u dhënë nga gjyqtari Aldi Kareco.
Kristjan Cenaj u prangos në Rinas pasi prej vitesh jetontë në Itali. Në momentin që ai është nisur drejt Shqipërisë ku dhe do të merrte pjesë në dasmën e një të afërmi në Mamurras, Policia e Shtetit është vënë në dijeni. Me mbërritjen në Rinas, atij i është komunikuar urdhër arresti i lëshuar nga prokuroria dhe është dërguar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Kurbin.
Vrasja e Mariglen Gjonaj u zbardh shtatë vite pasi kishte ndodhur dhe pak muaj nga gjetja e eshtrave të adoleshentit në Fushë Kuqe, në prill të vitit 2022. Nga ekspertiza u mësua se 16-vjeçari ishte dhunuar në mënyrë makabre dhe një goditje në kokë. Sipas hetimeve, Cenaj ka dashur t’i grabisë Gjonajt orën e llojit ‘Rolex’ dhe varësen e floririt që mbante në qafë. Ai hipi në makinë me të ditën që adoleshenti po nisej për ekskursion me shokët, por në Fushë Kuqe, e sulmoi, e vrau dhe e la të groposur./ZËRI