
TIRANË- Për herë të parë Shqipëria u vizitua nga një president izraelit. Isaac Herzog vizitoi sot vendin tonë, gjatë vizitës së tij 2-ditore në rajon, ku një dite më parë ndodhej në Beograd. Ai u prit nga presidenti Bajram Begaj dhe më pas nga kryeministri Edi Rama. Gjatë takimit me Herzog, presidenti Begaj tha se Shqipëria do të vazhdojë të mbështes Izraelin dhe se të dy kombet ndajnë historinë me njëri-tjetrin.
“Shqipëria dhe Izraeli janë vende mike që ndajnë momente historike unike, të cilat na bashkojnë përgjithmonë. Shqipëria ka dënuar fuqishëm dhe pa mëdyshje sulmet terroriste të 7 tetorit 2023 nga Hamasi kundër Izraelit. Kjo është e paprecedentë dhe nuk mund të justifikohet me asgjë”, tha Begaj.

Pas përfundimit të takimit me presidentin Begaj, Herzog në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Rama tha se ka kaluar një vit nga sulmi brutal i Hamasit që i mori jetën 1200 personave. Herzog theksoi se Shqipëria sërish është në anën e duhur të historisë, ku u shpreh se shqiptarët dhe hebrenjtë i bashkon historia. Më tej ai shtoi se bashkëpunimi mes Tiranës dhe Tel Aviv është i fortë dhe të dy vendet do të vazhdojnë të rrisin marrëdhënies mes tyre.
“U bë një vit nga sulmi brutal i Hamasit. Shqipëria ka treguar që qëndron pranë Izraelit, ndërsa ne luftojmë për të mbrojtur vendin tonë. Shqipëria është radhitur në krahun e duhur të historisë. Pengjet mbahen mizorisht në Gaza, duke shkelur normat ndërkombëtare, duhet të bëjmë gjithçka që t’i sjellim në shtëpi ata. Irani ka një fiksim antisemit. Shqiptarët dhe hebrenjtë i bashkon historia. Jam tepër i kënaqur që ndodhem këtu dhe që eksplorojmë rrugë të reja të forcimit të raporteve tona”, tha Herzog.
Po ashtu, kryeministri Edi Rama konfirmoi mbështetjen ndaj Izralit, ku u shpreh se lufta në Lindjen e Mesme duhet të marrë fund. Rama tha se Shqipëria mbështet marrëveshjen e armëpushimit dhe rikthimin e pengjeve në shtëpi, ku shtoi se e ardhmja e Izraelit do të jetë më e paqtë.
“Ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme është shumë e rëndë dhe duhet të marrë fund sa më shpejt. Fitorja kundër terrorit është shumë më e vështirë nga se duket nga larg. Shqipëria ka qenë mbështetëse e armëpushimit, për të sjellë në shtëpi pengjet dhe për të nisur proces të ri, për të mirën e të gjithë njerëzve. Me siguri e ardhmja do jetë e një Izraeli më të fortë dhe një rajon më të paqtë e vizionar”, tha Rama. /ZËRI