
TIRANË- Avokati dhe aktivisti Altin Goxhaj është vënë nën hetim nga policia, për veprën penale të kundërshtimit të punonjësve që kryejnë detyra shtetërore, pas një përplasje që ka pasur me punonjës të Bashkisë së Tiranës. Ngjarja ka ndodhur në një nga rrugët e kryeqytetit, ku sipas policisë, po kryhej dezinfektimi për insekticide, por sipas Goxhajt, në fakt po spërkatej me materiale të rrezikshme. Në video mund të shihet dhe përplasja që ai ka pasur me punonjësit e bashkisë së Tiraznës, të cilët më pas kanë bërë edhe kallëzim në polici.
‘Hape derën legen’, dëgjohet Goxhaj në video, ndërsa pretendon se do të bëjë kallëzim në drejtim të kryebashkiakut Erion Veliaj, që sipas tij helmon gjatë natës qytetarët e Tiranës. Goxhaj pretendon se ka mbledhur prova që e mbështesin këtë propozim të tij.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale "Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik", parashikuar nga neni 235 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit A. G.
Më datë 15.08.2024, është paraqitur për kallëzim punonjësi i Bashkisë së Tiranës, shtetasi S. B., 26 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka kallëzuar se gjatë dezinfektimit me insekticide, në rrugën "Bardhok Biba", është penguar për kryerjen e detyrës, nga shtetasi A. G.
Gjithashtu i është marrë kallëzim shtetasit A. G., i cili pretendon se në rrugët e Tiranës janë hedhur lëndë helmuese dhe materialet janë referuar në Prokurori./ZËRI