
TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë në përfundimin se pushteti vendor dhe jo vetëm kanë probleme lidhur me deklarimin e pasurive publike. Duke marrë shembujt konkretë të disa Bashkive në vend, KLSH bëri me dije se shumë prej bashkive, edhe pse kanë prona në emër të tyre, nuk i kanë regjistruara. Madje, në raportimin e Komisionit të Ligjeve, bënë me dije se as shteti nuk ka një regjistër për këto prona. Ndaj për të zgjidhur këtë problem kanë kërkuar edhe ndihmën e deputetëve të pranishëm në Komisionin e Ligjeve.
PRONAT dhe PASURITË PUBLIKE
- KLSH ka vënë si çështje të veçantë vlerësimin dhe ruajtjen e pasurisë publike nga një auditim në një bazë sistemi. Ne kemi bërë prezentë edhe problematika të tjera. Kemi theksuar dhe sjellë në vëmendje që ende nuk kemi pasqyra financiare të konsoliduara. Nuk kemi një regjistër të pasurive publike që shteti shqiptar zotëron. Në kuadër të auditimit që kemi bërë në Ministrinë e Bujqësisë, për një pjesë të kontratave të lidhura për qeranë e tokës. Një sipërfaqe rreth 1933.95 hektarë nuk është e kontabilizuar. Ministria këtë sipërfaqe ka dhënë me qera dhe nuk e ka kontibilizuar. Është konstatim i përsëritur. Problematikat në organet e njësive vendore janë edhe më të thella. Aktualisht po bëjmë një auditim në pronat publike.
-Ne kemi disa Bashki, Fieri ka 4 mijë prona nga të cilat ka të regjistruara vetëm 400, Mirëdita ka 14 mijë prona, 1 të regjistruar, Këlcyra ka 404, asnjë të certifikuar, Gjirokastra ka 4017 pronar, asnjë të regjistruar. Do të thotë që mund të vazhdojmë me të dhëna të tjera.
Braçe: Në momentin që qeveria transferon pronën, nuk e transferon bashkë me titullin e pronësisë?
KLSH: Jo vetëm në përdorim. Më përpara pranë ministrisë së pushtetit vendor ishte agjensia e transferimit të pasurive të paluajtshme. Në shumë raste procedurat e transferimit nuk janë shoqëruar me vendimmarrje konkrete sepse ka një cikël të gjatë. Ka raste që Këshillat Bashkiakë nuk janë dakordësuar.
Braçe: Këshilli Bashkiak nuk mund të bllokojë aq shumë prona. Duhet të ketë një problem këtu. Kam përshtypjen që është edhe pagesa problem shumë i madh. Tani u kujtova që për të marrë titujt e pronësisë, duhet të paguash të paktën 40 milionë lekë. Këto vlera nuk i nxjerr dot një bashki. Ky është problemi. është edhe problem financiar.
KLSH: Përsa kohë ky konstatim është i përsëritur, do të thotë që e tejkalon pjesën e raporteve të KLSH./ZËRI