
TIRANË- Klajdi Merkaj, një nga vëllezërit e arrestuar dhe të akuzuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim është lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Vendimi u mor nga Apeli i Posaçëm. Gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi e Medi Bici shyqrtuan rekursin e depozituar nga avokati mbrojtës i Merkajt dhe vendosën ta rrëzonin atë.
35-vjeçari, Klajdi Merkaj u ekstradua në 20 nëntor të vitit 2024 nga Italia në Shqipëri, ai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Klajdi Merkaj njihet si mik i ngushtë i vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja.
Për të tre vëllezërit Astrit, Endri dhe Klajdi Merkaj, SPAK nisi një hetim pasuror. Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sekuestrimit të pasurive të Klajdit Merkaj, Arben Lamçes, Arjon Ormenaj, Manjola Hysenaj, të shoqërisë “Elba Beton”, të “Hotel Demis”, të “Ish-Vilës Gjuta” etj. Klajdi Merkaj ka pasur komunikime në aplikacionin "SkyEÇ" me vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja. Franc Çopja dërgonte eurot me valixhe nga Londra dhe vende të tjera të Europës, ndërsa pritës në Shqipëri rezulton të ketë qenë Klajdi Merkaj. Paratë më pas investoheshin në Shqipëri, duke ndërtuar komplekse rezidenciale dhe troje./ZËRI