VLORË-Problemi i David Danos, 27-vjeçarit i cili hyri pa leje në sallën që po mbahej mbledhja e Këshillit Bashkiak, është zgjidhur. Kryetari i komanduar i Bashkisë Vlorë, Elis Halili në një postim në rrjete sociale njofton se problemi i Davidit, të cilit nuk i ishin dhënë paratë e shpronësimit të pronës së tij, është rregulluar. Halili më tej shkruan se beson në nismat e të rinjve.
“Jam shumë i kënaqur që problemi i Davidit u zgjidh! Besoj fort në dëshirat dhe nismat e të rinjve, me bindjen që aftësitë, vullneti dhe besimi, do t'i bëjnë të ecin përpara!”, shkruan në Facebook, kryetari i komanduar i Bashkisë Vlorë.
Incidenti ndodhi më 29 shtator, ku qytetari hyri me forcë në ambientet e sallës ku po mbahej takimi. 27-vjeçari më pas nisi të debatojë me anëtarët e Këshillit Bashkiak, duke i ofenduar dhe sharë, ndërsa pretendoi se nuk i janë dhënë paratë e shpronësimit të pronës së tij./ZËRI
