
TIRANË- Të burgosurit e burgut të Drenovës i kanë drejtuar këtë të enjte një peticion kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi dhe atij socialiste Bledi Çuçi. Në letrën e tyre ata kërkojnë që të përfitojnë nga aministia. Të burgosurit që dhe kanë firmosur peticionin drejtuar Çuçit e Bardhit janë të dënuar për “trafik narkotikësh”, “kultivim i bimëve narkotike”, “ndihmë kalim të paligjshëm të kufijve”, “pastrim parash”.
Ata janë në “ngërç”, pasi janë të dënuar nga Gjykata e Posaçme, kjo i përjashton dhe nga amnistia, e cila ende nuk është votuar në Kuvend, pasi palët nuk kanë rënë dakort. Ata kërkojnë që të mos diskriminohen vetëm se janë të dënuar nga GJKKO, pasi veprat e tyre penale janë të njëjta me ato që dënohen dhe në gjykatat e rretheve.
“Të nderuar zotërinj kryetarë, marrim shkas nga zhvillemte e fundit dhe diskutimet për draftin e Amnistisë Penale, i cili për ne është diskriminues me përjashtimin që na bëhet. Ligji është i barabartë për të gjithë, përjashtimi jonë është antikushtetues”, thuhet në letrën e drejtuar Bardhit dhe Çuçit.


Më herët kanë qenë të burgosurit e burgut të Reçit ata që kanë nënshkruar një peticion, ku kërkojnë të përfitojnë nga Amnistia Penale. Palët nuk kanë rënë ende dakort për draftin, i cili kërkon shumicë të cilësuar me 84 vota në Kuvend. Mazhoranca e vetme nuk i ka votat dhe kërkohet bashkëpunimi me opozitën./ZËRI