
TIRANË- Pamjet që po shihni tregojnë momentin e arrestimit të kreut të bandës së Durrësit Lulzim Berisha. Lulzim Berisha u arrestua në Alicante, Spanjë një javë më parë në kuadër të operacionit “Sant Joan”. Berisha fshihej në Spanjë duke përdorur dokumentacion bullgar. Siç mund të shihet ai është i veshur me një bluzë ngjyrë rozë dhe në kokë mban një kapele po të së njëjtës ngjyrë. Ndërkohë shoqërohet nga dy efektivë të Policisë spanjolle.
Kush është Lulzim Berisha?
Lulzim Berisha u arrestua për herë të parë në 6 prill 2006 derisa në 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate. Por, Gjykata e Lartë, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm Berishës dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.
Megjithatë Lulzim Berisha u lirua me kusht nga burgu në 5 dhjetor të vitit 2016, 5 vite para se t’i përfundonte afati për shkak se vuante nga një sëmundje. Derisa u zhduk sërish. Nga arratia komunikoi dhe lajmëroi se ndodhej në Turqi për t'u kuruar pasi vuante nga një sëmundje, për të cilën nuk dha më shumë detaje. Më 7 dhjetor 2021, Gjykata e Lartë vendosi rikthimin në burg të Lulzim Berishës. Por ndaj tij ka një tjetër akuzë. I penduari i drejtësisë, Luftar Reçi pretendon se Berisha është personi që ka urdhëruar vrasjen e Klodian Saliut, ngjarje për të cilën SPAK ka prerë një urdhër arresti ndaj ish-kreut të bandës së Durrësit. /ZËRI