
TIRANË- Origjinale apo imitim? Kjo dilemë duket se do të marrë fund, pasi në Kuvend është depozituar një projektligj i ri që ka si synim të ndalojë imitimin e firmave të njohura. Projektligji i ri “Markave Tregtare”, ka si objektiv jo vetëm veshjet, por edhe produkte të ndryshme që imitohen. Sipas kësaj nisme, tregtarët që imitojnë markat dhe i shesin si origjinale do të paditen nga pronarët e ligjshëm dhe do u sekuestrohet malli.
Me imitimin e markave janë prekur interesat e pronarëve edhe të qytetarëve që paguajnë çmimin e njëjtë me ato origjinale, por në të vërtetë po blejnë mall të imituar dhe me cilësi të dobët.
"Tregu në Shqipëri po ndeshet çdo ditë e më shumë me konflikte midis markave të regjistruara më parë dhe që kanë një reputacion dhe emër të mirë në treg dhe përpjekjeve të personave të ndryshëm për të përdorur marka identike ose të ngjashme me markat e regjistruara më parë, me qëllim që të përfitojnë në kurriz të njohjes që markat e mëparshme kanë në publik dhe në treg, për shkak të cilësisë së mirë, reklamimit dhe promovimit të vazhdueshëm që pronarët e tyre bëjnë për to. Këto përpjekje negative përveçse dëmtojnë interesat ekonomike të pronarëve të markave me reputacion në treg, ato dëmtojnë dhe deformojnë gjithashtu tregun dhe interesat e konsumatorëve”, thuhet në relacion.
Pronarët do të kenë mundësinë të ngrenë padi, ndaj tregtarëve imitues, dhe sipas nenit 87 në projektligj, ata kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblime për përdorimin e paautorizuar të markës.
Një pikë tjetër në projektligj është neni 118, ku thuhet se pronarët mund të kërkojnë nga Drejtoria e Pronësisë Industriale të nisin hetime nëse ata vërejnë ngjashmëri mes markave dhe produkteve që shesin.
Në projektligjin me 135 nene janë sqaruar procedurat që subjektet të ndjekin për të regjistruar “Markat Tregtare”. Në të përfshihen markat vendase dhe ndërkombëtare, ndërsa licenca është 10-vjeçare dhe mund të ripërtërihet. Subjektet do të paguajnë një tarifë që do të caktohet nga Këshilli i Ministrave./ZËRI