
TIRANË- Kuvendi ka ankimuar vendimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për bllokimin e nismës “Burgjet e Hapura”. Kryekomisoneri argumentoi se nisma e deputetit të Partisë Socialiste, Nasip Naço favorizon një shtresë të caktuar personash dhe mund të ndikojë në procesin elektoral.
Nisma ligjore e socialistit, parashikon kalimin e të burgosurve nga burgjet e sigurisë së lartë në ‘burgje të hapura’ pa vendim gjykate si dhe lehtëson hapësirat për lirime të parakohshme nga qelia është diskutuar sot në Komisionin e Ligjeve. Për shmangien e gjykatës nga vendimmarrja, Naço thotë se futja e gjykatës në këtë proces ka sjellë zvarritje në gjykim dhe në dhënie vendimi, pasi nuk është bërë përcaktimi se kur kalohet nga burgu i sigurisë së lartë në një burg të sigurisë së zakonshme.
Sipas propozimit, një i burgosur që vuan dënimin në burgjet e sigurisë së lartë në Shqipëri dhe ka kryer 2/3 e dënimit, mund të kalojë në një institucion të sigurisë së zakonshme pa qenë nevoja që të shkojë në gjykatë, por vetëm me kërkesë të drejtorit të burgut. Gjithashtu, drafti parashikon që të dënuarve që u ka mbetur më pak se 2 vjet e 6 muaj burgim për të vuajtur mund ta kryejnë dënimin jashtë qelive, me mbikëqyrje të perimetrit minimal të sigurisë, me kushtin që të sigurojnë një kontratë të rregullt pune./ZËRI