
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg Petrit Lakatos, administratorin e “Solis Farm”. Ai akuzohet se ka pastruar paratë e vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja. Administratori u ndalua disa ditë më parë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pasi akuzohet se ka bashkëpunuar me vëllezërit Çopja.
Gjatë hetimeve të SPAK, u sekuestrua biznesi “Solis Farm”, tejet i njohur në fushën e agroturizmit, shërbime akomodimi në struktura hotelerie, bujtinë, shtëpi pushimi, vila, shërbim bar-restorant-kafe etj. Gjithashtu, Lakatos iu sekuestruan para, një orë Rolex, 1 varëse floriri me 3 gurë të çmuar dhe 4 telefona. Ai akuzohet për pastrim parash./ZËRI