
FIER- Prej ditës së djeshme gjyqtari i Fierit, Vladimir Cjapi dhe familja e tij është marrë në mbrojtje për shkak se është kërcënuar nga Arben Isufaj, i njohur me nofkën “Ben Qimja”. Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se zanafilla e sherrit ka nisur për një çështje që Cjapi ka aktualisht "në duar".
Gjyqtari ka në shqyrtim gjyqësor një çështje panele, ku i pandehur për akuzën e “Kundërshtimit të punonjësve të policisë" është marrë një nga nipat e Isufajt. Duke qenë se para se të bëhej gjyqtar, Vladimir Cjapi kishte shërbyer si avokat në qytet, ishte hasur në punën e tij edhe duke mbrojtur çështje të familjes Isufaj. Ndaj për shkak të kësaj njohje, Arben Isufaj i ka kërkuar ndihmë.
Por kërkesave të Arben Isufaj, gjyqtari i Fierit i është përgjigjur negativisht, gjë që nuk është pritur mirë nga pala tjetër.
Mësohet se përmes një personi tjetër, që njihet dhe nga Arben Isufaj por edhe nga gjyqtari Vladimir Cjapi, Isufaj i ka dërguar një mesazh me fjalë duke i thënë: Mbaje mënd se çfarë do të bëjmë...!
Kjo frazë është marrë si kërcënim nga gjyqtari Cjapi, i cili është lidhur me drejtuesin e Prokurorisë Fier, Elio Mustafaj dhe ka bërë kallëzimin. Ndaj edhe dje, në banesën e Arben Isufajt shkuan për kontroll forcat RENEA, por i shpalluri në kërkim nuk u gjet në shtëpi. Tashmë ai akuzohet për “Kanosje ndaj gjyqtarit”, por edhe për “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”, pasi efektivët i gjetën një pistoletë në banesë./ZËRI