Aktualitet

Organizoi vrasjen e gruas, Naim Murseli dërgohet në burgun e sigurisë së lartë

Bashkëshorti që organizoi vrasjen, Naim Murseli dhe të pandehurit, Granit Plava e Kushtrim Kokalla u dërguan në burg të sigurisë së lartë.

D.XH
Organizoi vrasjen e gruas, Naim Murseli dërgohet në burgun e
Granit Plava, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla

PRISHTINË- Gjykata e Prishtinës ka caktuar 1 muaj paraburgim për tre personat, që dyshohet se kanë organizuar vrasjen e Liridona Ademajt. Bashkëshorti Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla akuzohen për veprat penale “Vrasje e rëndë në bashkëpunim”, “Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë”. 

Mediat e Kosovës raportojnë se pas seancës për masat e sigurisë, 3 të dyshuarit janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë, në Dyz të Podujevës. Në gjykatë kanë dalë detaje të reja në lidhje me vrasjen që tronditi opinionin publik shqiptar.

Sipas gjykatës, Naim Murseli ia ka dhënë armën Granit Plavës. Ky i fundit, në kohën që gjithë familja ishte në automjet, del përpara makinës me maskë në kokë dhe e qëllon Liridona Ademajn me një plumb në qafë.

“I pandehuri N.M ishte duke lëvizur me makinën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre. Papritur ka dalë para automjetit i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe pistoletë në dorë. Sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri N.M me fëmijët kanë dalë nga makina dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes gjoja për të ikur, ndërsa në mjet kishte mbetur e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e ka qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30000 €”, ka njoftuar gjykata.

Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB