
TIRANË- Oltion Bistri, ish-drejtor i Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Ardit Hasanbegaj, shef i sektorit të Krimit në Shkodër, janë të shoqëruarit e radhës për të dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme, të arrestuar në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’. Sot, ata mbërritën zyrat e prokurorëve të SPAK, për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi hetimin, ndonëse ky i fundit mbetet i rezervuar në lidhje me detaje mbi deklaratat e dhëna.
Ndërkohë, kujtojmë se vetëm dy ditë më parë në SPAK janë pyetur edhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal si biznesmeni Pëllumb Gjoka, shoferi i tij Edmond Preka, bashkëpunëtori i vëllezërve Bajri, Astmer Bilali, dhe kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita.
Por çfarë thotë dosja hetimore?
Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme, Oltion Bistri rezulton i përfshirë në biseda përmes aplikacionit “SKY EÇ”, me Pëllumb Gjokën, ku mes të tjerash e informon mbi operacionet e policisë për goditjen e lojërave të paligjshme të fatit, aktivitet të cilin e kryente edhe biznesmeni. Ndërkohë, Ardrit Hasanbegaj akuzohet nga SPAK se jepte informacione të vlefshme për qëllimet e personazheve të krimit si anëtarëve të familjes Bajri në Shkodër apo biznesmenit Gjoka, si dhe ndikonte në devijimin e hetimit të ngjarjeve kriminale, për llogari të personave të mësipërm.