
TIRANË- Një sherr i nisur në "TikTok" mund të kishte kushtuar jetë njerëzish! Dhunimi i reperit nga Lushnja, Kleviol Ahmeti, i njohur me nofkën 'Cllevio Serbiano' nga Rigels Rajku (Noizy) ka shqetësuar vetë Laert Haxhiun. Për të marrë hakun e shokut të dhunuar, Haxhiu porositi Artan Tafanin që të vendoste tritol në një prej bizneseve të reperit nga Durrësi, si për të dërguar një mesazh për të. Me të marrë urdhërin, Tafani shkoi dhe pretendon se ka vendosur në butikun e rrobave të reperit plot 1 kg tritol.
"Laertin e zuri sedra dhe më porositi mua që t'i bënim një dëm Noizy-t pasi rrahja që i kishin bërë Klevios i kishte shqetësuar familjen. Për këtë ngjarje kemi përdorur afërsisht një kg tritol, të cilin e kishim gjendje pasi e kishim marrë nga Erisjano Abedini ose Cano,"-tregon Tafani në dosjen e siguruar nga "Inside Story".
Por për reperin Ahmeti, Haxhiu u bë i gjallë për herë të parë edhe nga burgu. Teksa Cllevio ishte live në 'TikTok' me një person nga burgu i Greqisë, dëgjon zërin e Haxhisë, i cili i flet për armiqësitë që ka dhe sesi duhet të veprojë me ta.
Nga pala tjetër ka vetëm të qeshura dhe shprehje malli. Mjaftueshëm për të dëshmuar afërsinë mes tyre. Vetëm gjatë operacionit 'Never forget' është zbuluar se ishte banda e Laert Haxhiut, përgjegjëse për tritolin e vendosur disa herë me radhë në bizneset e reperit nga Durrësi. Por që ishin në pronësi dhe në emër të babait të tij, Bashkim Rajku.
SHERRI NISI NË TIK TOK, DEGRADOI NË JETËN REALE
Konflikti mes reperit Noizy dhe Kleviol Ahmetaj, i njohur si Cllevio Serbiano nisi në rrjetet sociale për t'u "zhvendosur" më pas edhe në jetën reale. Fillimisht ishte reperi nga Lushnja që ofendonte Noizy-n në rrjetet sociale. Por situata degradoi kur Ahmeti, edhe pse në masën e sigurisë "arrest shtëpie", shkoi tek lokali i Noizy-t në Durrës, ku edhe u qëllua me grusht nga reperi. Sërish i riu nga Lushnja përfundoi në burg për shkelje të masës së sigurisë. Me daljen nga burgu, nisi sërish kërcënimet dhe ofendimet në rrjetin social "TikTok", e përgjatë një viti, bizneset e reperit Noizy (makina Ferrari, lokali dhe dyqani i rrobave) janë shkrumbuar disa herë. Për djegien e Ferrarit me vlerë 300 mijë euro, autori i ngjarjes, Siar Konti nga Vlora, është arrestuar dhe gjatë deklaratës së tij, ai ka zbuluar se pas ngjarjes fshihet reperi, Cllevio Serbiano. Nga ana tjetër, Kleviol Ahmetaj, ka deklaruar për policinë se nuk ka asnjë lidhje. Por mesa duket, Konti nuk ka qenë i vetmi person që ka porositur për të dëmtuar edhe kundërshtarin e tij, pasi mesa duket për ndihmë është drejtuar edhe tek shoku i ngushtë i fëmijërisë. Por edhe pse të gjitha dyshimet të çojnë tek përfshirja e tij, por Policia nuk e përmendi kurrë emrin e reperit si "porositës"./Zëri.ai