Aktualitet

Nuredin Dumani zbërthen komunikimet me Erion Alibejn: Për herë të fundit folëm pas vrasjes së Arjan Spahiut

Dumani është shprehur se me Alibejn komunikonte në SKYECC.

F.m
Nuredin Dumani zbërthen komunikimet me Erion Alibejn: Për herë
Nuredin Dumani

TIRANË- Bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani ka zbarthyer komunikimet që ka pasur me të arrestuarin Erion Alibej. Në seancën që po mbahet sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Dumani është shprehur se me Alibejn komunikonte në SKYECC dhe se herën e fundit ka folur me të pas vrasjes së Arjan Spahiut në Belgjikë.

“Me Erion Alibej komunikoja me ‘sky’. Nuk më kujtohet ku kam qenë kur është arrestuar Alibej. Në burgun e Elbasanit kam komunikuar me të. Hera e fundit ka qenë dy tre ditë pas vrasjes së Arjan Spahisë. U transferua Erioni dhe humba komunikimin. Për Kosovë jam larguar në 2020, kam qenë në kërkim për ngjarjen e vëllezëve Haxhia dhe Dorjan Shkozës. Kalova në doganë me makinë. Isha pasagjer, isha me dy miq të mi. S’na kontrolloi asnjërin, ishim të tre në kërkim. Ditën ka qenë. Kam qëndruar në Kosovë deri ditën kur i ra Rusia Ukrainës,”- deklaroi Dumani.

Kjo është seanca e radhës që zhvillohet me rrëfimet e Dumanit.  Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin "SkyEÇ": 'Totorina", "Covid 19" dhe "Alcatraz". Po ashtu, paralajmëroi edhe krime të tjera që do të zbardhen me "Matrix", aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol.

Gjatë 3 viteve që ka statusin e të penduarit të drejtësisë, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit.

Poll

MOS HUMB