
BEOGRAD- Alarmet për motin, zjarret në pyje, të gjitha këto janë pasojë e një vale nxehtësie, e cila ka bërë që temperaturat në pjesë të Evropës qendrore dhe jugore të rriten deri në 40 gradë Celsius. Nga Italia në Rumani, autoritetet paralajmëruan njerëzit që të jenë të kujdesshëm, të ngasin me kujdes nëse shkojnë me pushime, të pinë shumë ujë dhe të shmangin daljen gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Autoritetet italiane shpallën alarm të kuq në shtatë qytete të enjten, kryesisht në pjesët qendrore të vendit, por edhe kryeqytetin e Romës dhe Trieste. Autoritetet komunale të Romës lancuan një aplikacion dixhital për të ndihmuar njerëzit të gjejnë burimet publike ku mund të konsumojnë ujë pasi temperaturat kapën 38 gradë Celsius të enjten.
Kushtet e të nxehtit përkeqësohen nga lagështia. Zjarre në pyje janë raportuar këtë javë në Shqipëri, pranë kufirit me Greqinë, si dhe në Bosnje dhe Itali. Disa zjarre shpërthyen të enjten në zonën jugore të Korintit të Greqisë dhe në ishullin Lesbos në lindje të Detit Egje.
Por meteorologët thanë se temperaturat ishin edhe më të larta se ato të raportuara zyrtarisht në qytetet e mëdha.
“Ishte e pamundur të merrje frymë dje,”-tha Antonela Spiçanoviç, nga kryeqyteti malazez i Podgoricës, ku temperaturat arritën në 39 gradë C (102F) të mërkurën. Qyteti dukej i shkretë pasi banorët qëndronin brenda ose drejtoheshin drejt bregut të detit Adriatik.
“I kaloj ditët në banesë, nën ajër të kondicionuar. Jashtë është ferr,”- tha Gjorgje Stanishiç, një inxhinier elektrik gjithashtu nga Podgorica për "Associated Press".
Mendim Rugova, një meteorolog nga Kosova tha se temperaturat në vend janë rritur mesatarisht me 2.5 gradë që nga vitet 1980. Ai tha se vala aktuale e të nxehtit mund të zgjasë deri në fund të korrikut.
“Në rajon mund të shohim temperatura mbi 40 gradë Celsius, në pjesë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, në Greqi dhe gjithashtu në pjesë të Serbisë,”- parashikoi ai.
Në kryeqytetin e Çekisë, Pragë, ku temperaturat arritën në 34 gradë Celsius të mërkurën përpara se të bien pak të enjten, kopshti zoologjik i qytetit shpërndau dhjetë tonë akull për të ofruar lehtësimin e nevojshëm për kafshët./ZËRI