Aktualitet

Nis rënia e shpejtë e popullsisë në moshë pune

Midis viteve 2023 dhe 2024, popullsia në moshë pune 1,864,062 persona ra në 1,542,389

Redaksia Zëri
Nis rënia e shpejtë e popullsisë në moshë pune
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Të dhënat mbi popullsinë në moshë pune (15–64 vjeç) në Shqipëri gjatë viteve 2010–2025 tregojnë një prirje të fortë rënëse, veçanërisht në vitet e fundit, duke i bërë më të forta shqetësimet për tregun e punës dhe perspektivën ekonomike të vendit.

Nga viti 2010 deri në vitin 2019, popullsia në moshë pune ka qenë relativisht e qëndrueshme, duke u luhatur midis 1.94 dhe 1.98 milionë banorë. Ndonëse kishte lëvizje demografike dhe emigracion, ndikimi mbi numrin e përgjithshëm të popullsisë në moshë pune nuk ishte kaq dramatik.

Midis viteve 2023 dhe 2024, popullsia në moshë pune 1,864,062 persona ra në 1,542,389, një reduktim prej më shumë se 320 mijë personash brenda një viti, ose rreth 17%, si rezultat i Censit dhe përmirësimeve në regjistrat civilë.

Në vitin 2025, popullsia në moshë pune ra në 1,504,570 persona që përfaqëson një tkurrje totale prej 38 mijë personash në një vit dhe mbi 444 mijë në krahasim me vitin 2012, më i miri me numrin më të lartë të regjistruar 1,979,908 persona.

Të dhënat zyrtare për periudhën 2015–2025 tregojnë tkurrje të ndjeshme të popullsisë në të gjitha grupmoshat aktive, me rënie veçanërisht të theksuar te të rinjtë që sapo hyjnë në tregun e punës.

Grupmosha me tkurrjen më të fortë është ajo 20-24 vjeç me rreth 48% ndërmjet 2015-2025. Ata 15–29 vjeç janë më të prekurit nga emigracioni dhe rënia e lindshmërisë.

Rënia në këtë grup është shumë alarmante dhe tregon për një mungesë të afërt të fuqisë së re punëtore në vend. Edhe në mesin e grupmoshave 45–54 vjeç vihet re një rënie e dukshme, duke sinjalizuar mungesë të qëndrueshmërisë afatmesme të forcës së punës.

Ndërsa edhe grupmosha 55–59 vjeç pëson rënie, ajo 60–64 vjeç ka rritje dhe kjo për shkak të një strukture më të plakur të popullsisë./ Monitor

Poll

MOS HUMB