TIRANË- Tre godina call senterash u goditën nga Policia gjatë një operacioni të ndërmarrë mbrëmjen e djeshme, 13 prill, në kryeqytet. Në kuadër të aksionit është dhënë masa e arrestit me burg për 7 persona: Mateo Hoxha, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami, Xhoji Hitaj dhe Tedi Agastra. Ky i fundit, ka qenë edhe më herët nën hetim, pas një operacioni kundër kriptovalutave.
Tedi Agastra u arrestua në vitin 2024 gjatë një operacioni në Tiranë dhe Shkodër në kuadër të një rrjeti të gjerë mashtrimi ekonomik me kriptomonedha. Agastra, pronari i një kompanie që ofron shërbim të konsulencës ekonomike në fushën e menaxhimit dhe financës, ishte një ndër mes 17 të arrestuarve, 6 prej të cilëve rezulton pronarë biznesesh. Më pas, ai u la në 'detyrim paraqitje'.
Ndërkohë, gjatë aksionit të djeshëm në kryeqytet, Tedi Agastra ra sërish në prangat e policisë. Sipas hetimeve, Tedi Agastra dhe Mateo Hoxha dyshohet se konvertonin shumat e përfituara në kriptomonedha për të fshehur gjurmët e parave.
Gjatë kontrollit në tre ambiente, efektivët kanë sekuestruar mbi 800 mijë euro cash, si dhe një sasi të konsiderueshme pajisjesh elektronike, përfshirë kompjutera, servera, USB dhe sisteme kamerash, të cilat dyshohet se janë përdorur për realizimin e aktivitetit kriminal.
Në kuadër të operacionit u arrestuan 7 persona, ndërsa 2 të tjerë janë lënë në masën ndalim i daljes jashtë shtetit. Konkretisht bëhet fjalë për Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami, Xhoji Hitaj, Aida Vokli dhe Ledjon Cenaj./ZËRI


