Aktualitet

Në shoqërinë e dy femrave dhe me emër tjetër, si u kap në Kosovë “baroni” i drogës

Çela shfaqet më ndryshe dhe në pamjen e tij, ku dyshohet se ka kryer ndërhyrje estetike, në mënyrë që të mos identifikohej

E.K
Në shoqërinë e dy femrave dhe me emër tjetër, si u kap
Gezim Cela

KOSOVË- Ditën e djeshme mori fund arratia e një prej njerëzve më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, Gëzim Çela, i cili u arrestua në zonën e Ferizajt në Kosovë. Në momentin e arrestimit 55-vjeçari ishte në shoqërinë e dy femrave nga Shqipëria.

Nga kontrollet e ushtruara atij iu gjetën karta identiteti si shtetas i Kosovës. Ai qarkullonte me identitet të ndryshuar si Bekim Bajraktari, ndërkohë që dyshohet se është ndihmuar nga shqiptarë të Kosovës, për t’iu fshehur kaq gjatë drejtësisë shqiptare.

Çela shfaqet më ndryshe dhe në pamjen e tij, ku dyshohet se ka kryer ndërhyrje estetike, në mënyrë që të mos identifikohej.

55-vjeçari nga Fushë-Kuqja e Kurbinit, i konsideruar si “Baroni i drogës” prej vitesh rezulton i shumëkërkuar për drejtësinë shqiptare e jo vetëm. Ish-punonjësi i forcave speciale ka nisur aktivitetin e tij kriminal që në vitin 1998 në Itali, vend ky ku ka dhe një dënim në mungesë prej 20 vitesh.

Gëzim Çela u shpall sërish në kërkim si organizator i grupit tashmë të goditur nga policia në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar gjatë operacionit të finalizuar në Tetor të këtij viti të koduar “Flakë në det”. Ky operacion parandaloi një tentativë të shkëmbimit të lëndëve narkotike në det të hapur ku mes të arrestuarve kishe punonjës dhe ish-punonjës policie.

Më datë 9 tetor të këtij viti, SPAK zhvilloi një aksion të madh policor në Fushë Kuqe. Policia në bashkëpunim me SPAK kanë ushtruar kontrolle në banesën dhe në lokalin e Gëzim Çelës.

Struktura e Posaçme lëshoi disa urdhër-arreste, mes tyre dhe ai për baronin e drogës. Në pranga nga ky operacion përfundoi dhe shefi i Komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, ndërsa u shpallën në kërkim Arben Dalipaj dhe Roland Guzo. Metaj dyshohet se kishte bashkëpunuar me Çelën dhe nuk e kishte arrestuar atë.

Kush është Gëzim Çela

Gëzim Çela njihet si ‘bosi i trafikut të drogës’ që vinte nga Turqia, përmes shteteve të Ballkanit e më pas në Shqipëri, Kosovë dhe që shpërndahej më pas në vendet perëndimore. Më 2015, ai u vu nën akuzë për trafik ndërkombëtar droge. Në vilën e tij në Fushë Kuqe, në atë kohë janë gjetur 18 kg kokainë.

Në vitin 2014, policia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës shkatërruan një grup kriminal, që trafikonte droga të forta nga Turqia drejt vendeve të Europës Perëndimore. Në pikën kufitare të Morinës, në Kukës u arrestua Erald Hysolli, që posedonte 7 kg kokainë. Ai ishte një korrier droge dhe lëndën narkotike e kishte marrë në Prishtinë. Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës prangosi në kryeqytetin  e Kosovës 3 persona të tjerë, duke iu gjetur 50 kg kokainë dhe heroinë.

Ndërsa, gjatë kontrollit që oficerët kanë ushtruar në shtëpinë e tij në Fushë Kuqe, kanë gjetur 18 kg heroinë, 150 kg kanabis sativa, 9 armë, makina të blinduara, 3 snajpera, si dhe granata. Gjykata shqiptare e liroi Çelën, pasi ky i fundit deklaroi se vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në arrest shtëpie. Duke pasur këtë masë shtrënguese në fuqi, Çela u arratis nga banesa e tij. Kur droga arrinte në vendin tonë, shkonte në vilën e tij në Fushë Kuqe.

Më pas shpërndahej në shtetet e Perëndimit. Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur edhe 500 litra përzierës, si dhe 20 bidona açeton. Çela kishte shndërruar vilën e tij në laborator të përzierjes së lëndëve narkotike. Ai u shpall në kërkim policor si kreu i një organizate, që merrej me trafikun e drogës. Gjykata italiane e ka dënuar atë me 11 vite burg dhe 150 mijë euro gjobë. Gëzim Çela, përpara se të shndërrohej në një ‘bos droge’, ka qenë punonjës i Forcave Speciale.

/Zëri 

Poll

MOS HUMB