
KOSOVË – Gëzim Çela, njohur si ‘baroni i drogës’ është arrestuar në Kosovë. Lajmi është konfirmuar nga policia. Çela akuzohet për trafik droge dhe grup kriminal. Ai ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK.
Operacioni i SPAK për ‘baronin e drogës’. Në pranga përfundoi shefi i Komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj
Më datë 9 tetor të këtij viti, SPAK zhvilloi një aksion të madh policor në Fushë Kuqe. Policia në bashkëpunim me SPAK kanë ushtruar kontrolle në banesën dhe në lokalin e Gëzim Çelës. Struktura e Posaçme lëshoi disa urdhër-arreste, mes tyre dhe ai për baronin e drogës. Në pranga nga ky operacion përfundoi dhe shefi i Komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, ndërsa u shpallën në kërkim Arben Dalipaj dhe Roland Guzo. Metaj dyshohet se kishte bashkëpunuar me Çelën dhe nuk e kishte arrestuar atë.
Në atë kohë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamed Rrumbullaku mbajti një konferencë për mediat, ku tha se të shpallurit në kërkim dyshohet se janë jashtë shtetit. "Ditën e sotme, Policia e Shtetit ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shefin e Komisariatit të Policisë Laç, Dritan Metaj, ndërsa 3 shtetasit e tjerë janë shpallur në kërkim. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, po punon intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tyre, pasi nga informacionet dhe verifikimet e deritanishme rezulton se këta 3 shtetas janë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, tha Rrumbullaku më 9 nëntor.
Kush është Gëzim Çela
Gëzim Çela njihet si ‘bosi i trafikut të drogës’ që vinte nga Turqia, përmes shteteve të Ballkanit e më pas në Shqipëri, Kosovë dhe që shpërndahej më pas në vendet perëndimore. Më 2015, ai u vu nën akuzë për trafik ndërkombëtar droge. Në vilën e tij në Fushë Kuqe, në atë kohë janë gjetur 18 kg kokainë.
Në vitin 2014, policia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës shkatërruan një grup kriminal, që trafikonte droga të forta nga Turqia drejt vendeve të Europës Perëndimore. Në pikën kufitare të Morinës, në Kukës u arrestua Erald Hysolli, që posedonte 7 kg kokainë. Ai ishte një korrier droge dhe lëndën narkotike e kishte marrë në Prishtinë. Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës prangosi në kryeqytetin e Kosovës 3 persona të tjerë, duke iu gjetur 50 kg kokainë dhe heroinë.
Ndërsa, gjatë kontrollit që oficerët kanë ushtruar në shtëpinë e tij në Fushë Kuqe, kanë gjetur 18 kg heroinë, 150 kg kanabis sativa, 9 armë, makina të blinduara, 3 snajpera, si dhe granata. Gjykata shqiptare e liroi Çelën, pasi ky i fundit deklaroi se vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në arrest shtëpie. Duke pasur këtë masë shtrënguese në fuqi, Çela u arratis nga banesa e tij. Kur droga arrinte në vendin tonë, shkonte në vilën e tij në Fushë Kuqe. Më pas shpërndahej në shtetet e Perëndimit. Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur edhe 500 litra përzierës, si dhe 20 bidona açeton. Çela kishte shndërruar vilën e tij në laborator të përzierjes së lëndëve narkotike. Ai u shpall në kërkim policor si kreu i një organizate, që merrej me trafikun e drogës. Gjykata italiane e ka dënuar atë me 11 vite burg dhe 150 mijë euro gjobë. Gëzim Çela, përpara se të shndërrohej në një ‘bos droge’, ka qenë punonjës i Forcave Speciale.
Për arrestimin e ‘bosit të drogës’, Gëzim Çela ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Numri një i Ministrisë së Brendshme shprehet se forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandëshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo, që vazhdon që t’i fshihet drejtësisë. “Forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet drejtësisë. Përgëzoj Policinë e Shtetit, e cila në bashkëpunim me një agjenci ????të rëndësishme partnere dhe me strukturat ligjzbatuese të Republikës së Kosovës kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Gëzim Çela, një person i dënuar dhe i kërkuar prej shumë kohësh nga drejtësia në Shqipëri”, shkruan Balla.
Policia e Shtetit me anë të një lajmërimi ka dhënë detaje për arrestimin e Gëzim Çelës. Sipas policisë shqiptare, për arrestimin e Çelës është bashkëpunuar ngushtë dhe me autoritetet e Kosovës dhe partnerët strategjikë. Çela mësohet se fshihej në një banesë pranë qytetit të Ferizajt.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Finalizohet një tjetër operacion me partnerët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Fundi i trishtë”, u zhvillua si rezultat i bashkëpunimit mes Policisë shqiptare, Policisë kosovare dhe agjencive ligjzbatuese të vendeve partnerë strategjikë. Kapet në Kosovë dhe vihet në pranga, një shtetas i kërkuar prej vitesh, nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane.
Strukturat e Policisë së Shtetit, pas sigurimit të informacionit nga inteligjenca policore, se në Ferizaj, Kosovë, fshihej një shtetas i kërkuar prej vitesh nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane, menjëherë e kanë shkëmbyer informacionin me Policinë kosovare dhe me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnerë strategjikë.
Policia e Kosovës, bazuar në informacionin e marrë nga Policia shqiptare, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Fundi i trishtë”, gjatë të cilit, në Ferizaj, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:
Gëzim Çelaj (Çela), 55 vjeç, lindur dhe banues në Krujë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjithashtu, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi ish-Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 10 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale "Trafikimi i narkotikëve" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municione luftarake", pasi:
-Më datë 12.06.2014, në orët e para të mëngjesit, është kapur në flagrancë shtetasi R. H., me lendë narkotike kokainë, e cila ishte nisur nga Kosova në Shqipëri, për llogari të shtetasit Gëzim Çelaj. Në banesat e këtij të fundit, në Kurbin dhe në Tiranë, janë ushtruar kontrolle dhe janë gjetur dhe sekuestruar 207 kg kanabis sativa, 22 kg heroinë, 500 gramë kokainë dhe 14 armë zjarri të llojeve të ndryshme. nuar me 19 vjet, 9 muaj e 29 ditë burgim, për kryerjen e veprave penale “Organizator i migrimit ilegal” dhe “Organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Gëzim Çela kur u arrestua ishte në shoqërinë e dy vajzave nga Shqipëria dhe një burri nga Kosova. Dyshohet se ky i fundit e kishte strehuar në banesën e tij. Arrestimi i ‘bosit të drogës’ është kryer në një shtëpi në fshatin Dardani të Ferizajt. Gjatë kontrollit në banesë, Çelës i është gjetur edhe një kallashnikov me 15 plumba.

Çela, njohur edhe si 'baroni i drogës', dyshohet se trafikonte droga të forta nga Turqia, Bullgaria, më pas i kalonte në territorin e Shqipërisë e Kosovës, për t'i trafikuar në vendet e Europës Perëndimore. SPAK e shpalli në kërkim më 9 nëntor, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, që janë ende në kërkim. Në të njëjtin operacion të Strukturës së Posaçme, u arrestua shefi i Komisariatit të Laçit, Dritan Metaj./ZËRI/