
MIRDITË- Një 22-vjeçar nga Mirdita është vënë në prangat e Policisë së Lezhës pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia. Gjykata e Milanos ka dhënë ndaj të riut masën e sigurisë “Arrest me burg”, pasi akuzohet për veprat penale “Organizatë kriminale" dhe "Trafikim i lëndëve narkotike' kryer në bashkëpunim", parashikuar nga nenet e Kodit Penal Italian. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e 22-vjeçarit drejt Italisë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Mirditë/ Finalizohet operacioni policor i koduar "Hidden", i zhvilluar nga Fast Albania, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve DVP Lezhë dhe në koordinim me Interpol Tirana. Kapet dhe vihet në pranga një 22-vjeçar i kërkuar nga drejtësia italiane, i cili fshihej në Mirditë. 22-vjeçari i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën policore se këta shtetas fshihen duke u strehuar në territorin e qarkut Lezhë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë si dhe në bashkëpunim e koordinim të punës me njësinë speciale për kapjen e shtetasve në kërkim “FAST Albania”, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Hidden"
Si rezultat, në një banesë në Rrëshen, kanë kapur dhe arrestuar në mënyrë provizore me qëllim ekstradimi, shtetasin G. J. 22 vjeç, banues në Mirditë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, Gjykata e hetimeve paraprake në Milano, Itali, me vendim penal të datës 03.11.2023, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg", i akuzuar për veprat penale “Organizatë kriminale" dhe "Trafikim i lëndëve narkotike' kryer në bashkëpunim", parashikuar nga nenet e Kodit Penal Italian. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë./ZËRI