
TIRANË- Nënë e bir janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për organizatë kriminale dhe trafik narkotikësh.
Në kuadër të operacionit “Afternoon” u vunë në pranga me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasit Deshira Goseni, 63 vjeçe, dhe Eduard Goseni, 44 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Veronas, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.
Eduart Goseni ka qenë drejtuesi i një grupi kriminal, që është zbuluar në shtator të këtij viti në shtetin italian, të cilët trafikonin drogë, dhe më pas pastronin paratë duke investuar në prona.
Mediat italiane kanë zbuluar një bisedë që ka pasur më herët Eduart Goseni, me nënën e tij Dëshira Gosenin, e cila udhëtoi nga Shqipëria në Itali, pasi korrieri i arrestuar filloi të flasë. “Puno pak më ndryshe, mos i beso askujt derisa të zgjidhësh problemet që ke...”, e ka këshiluar ajo të birin.
Dëshira Goseni dyshohet se ka ndihmuar të birin në pastrimin e parave që rridhnin nga aktiviteti kriminal. /ZËRI