
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në GJKKO, dosjen për ish-gjyqtarin e Elbasanit, aktualisht avokatin Ilir Pashaj. Hetuesit e SPAK e kanë gjetur të fajshëm për 3 vepra penale, të cilat janë: “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Në vitin 2009, Pashaj ka përfituar në mënyrë të parregullt pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Po ashtu, për shkak të funksionit të tij si gjyqtar, nuk ka pasqyruar në deklaratat periodike të viteve 2015, 2016, një makinë, të cilën SPAK e ka konsideruar si pasuri të fshehur dhe e ka vendosur në sekuestro. Këtë mjet, Pashaj e kishte vendosur në emër të vjehrrit të tij. Por jo vetëm mjetin. Ish-gjyqtari, sipas SPAK, është kujdesur që përfitimet e parrregullta t‘i maskojë në emër të të tjerëve (vjehrrit dhe kunatit), e të njëjtën gjë ka bërë edhe me një apartament me sipërfaqe 105.2 m2 në Elbasan. Kështu që bashkë me mjetin, avokatit, i është bllokuar edhe apartamenti.
Si nisën hetimet për ish-gjyqtarin?
Ilir Pashaj u arrestua më22 Korrik 2022, sw bashku me gjyqtaren e Elbasanit, Zamira Vyshka. SPAK dyshon se Pashaj, bashkë me gjyqtaren ka marrë para për lirimin e të burgosurit Xhulio Musaj, i cili ka qenë i dënuar për plagosje. Familjarët e tij kanë tentuar t’i ofrojnë para gjyqtares përmes avokatit të tyre mbrojtës, Ilir Pashaj, por ajo nuk e ka pranuar shumën 2 milionë lekë dhe ka kërkuar më shumë. I gjithë "pazari" ka ndodhur në vitin 2021 dhe gjyqtarja ka marrë 4 milionë lekë. Skema u zbulua nga përgjimet dhe në burg përfunduan të dy, si Vyshka, ashtu edhe Pashaj.
NJOFTIMI I PLOTË:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.49, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurit Ilir Pashaj, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, vepra penale të parashikuara nga 319/ç, 257/a dhe 287/1, gërma “a” të Kodit Penal.
Nga analiza e fakteve dhe provave rezulton se i pandehuri Ilir Pashaj, gjatë periudhës që ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka përfituar në mënyrë të parregullt pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat janë produkt i veprës penale të korrupsionit, vepër penale e cila është vërtetuar si e konsumuar të paktën në një rast dhe konkretisht në rastin që lidhet me vendimin gjyqësor nr.343, datë 29.7.2009, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me objekt “Lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për titujt ekzekutive, vendimet nr.255, dhe nr.256, datë 29.6.2009, dhe nr. 244, datë 26.6.2009, të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave”.
Për shkak të funksionit të tij si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, shtetasi Ilir Pashaj është subjekt deklarues, bazuar kjo në ligjin nr.9049 datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve, dhe të disa nëpunësve publikë”. I pandehuri Ilir Pashaj, për shkak të funksionit të tij si gjyqtar, nuk ka pasqyruar në deklaratat periodike të viteve 2015, 2016, dhe atë pas largimit nga funksioni, një automjet i targuar me targë AA……JM, duke fshehur në këtë mënyrë këtë pasuri të luajtshme. Gjithashtu ky i pandehur nuk ka pasqyruar në këto deklarata as pasurinë e paluajtshme të përfituar në emër të vjehrrit të tij Sh. B.. Gjyqtari Ilir Pashaj edhe pse është i njohur me detyrimin ligjor për të deklaruar gjithë pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, me dashje direkte i ka fshehur ato duke i regjistruar në emër të personave të tjerë të afërm të tij, duke konsumuar në këtë mënyrë elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
I pandehuri Ilir Pashaj, është kujdesur që përfitimet e parrregullta të përfituara për shkak të detyrës së tij si gjyqtar t‘i maskojë në emër të të tjerëve (vjehrrit dhe kunatit), duke fshehur pronarin dhe burimin e vërtetë të këtyre pasurive, konsumuar në këtë mënyrë edhe elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Ky shtetas me anë të të transferimit të pasurisë që është objekt përfitimi të parregullt tek të afërmit e tij, me qëllim mbulimin e origjinës së paligjshme të këtyre pasurive, ka konsumuar elementët e pastrimit të produkteve të veprës penale të parashikuar nga neni 287/1 gërma “a” e Kodit Penal.
Gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.92, datë 07.02.2024, ka vendosur sekuestron preventive mbi pasurinë e paluajtshme të llojit apartament, me sipërfaqe 105.2 m2, me vendodhje në Elbasan (në pronësi të shtetasit Sh. B. por që dyshohet se i përket të pandehurit Ilir Pashaj dhe që përbën produkt të veprës penale). Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan.
Gjithashtu me vendimin e datës 25.03.2022, prokurori ka vendosur sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të automjetit me targë AA…..JM, i regjistruar në emër të kunatit të të pandehurit Ilir Pashaj, por që rezulton se është pronë e tij. Ky vendim ëshë ekzekutuar nga policia gjyqësore.
Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë./ZËRI