Aktualitet

Në 'çarkun' e biznesmenit, Lirim Fezollari gjobit banorët: Paguani 50 mijë lekë që të futeni në shtëpitë tuaja!

Fezollari ka vendosur një tra dhe përmes një punonjësi, u kërkon banorëve që të paguajnë një tarifë prej 50 mijë lekësh të vjetra në muaj, për të aksesuar hyrjen.

Florida Mingla;Edon Kuqi
Në 'çarkun' e biznesmenit, Lirim Fezollari gjobit
Lirim Fezollari dhe banorët

TIRANË- Lirim Fezollari, biznesmeni që është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për privatizimin e ish-ndërmarrjes shtetërore, fabrika ‘Buka.sha’, ku sot është ndërtuar qendra tregtare “Emerald”, ka privatizuar rrugën publike. Dhjetëra qytetarë që kanë blerë apartamentet në pallatin pas qendrës “Emerald”, nuk aksesojnë dot hyrjen e pallatit të tyre.

Fezollari ka vendosur një tra dhe përmes një punonjësi, u kërkon banorëve që të paguajnë një tarifë prej 50 mijë lekësh të vjetra në muaj, për të aksesuar hyrjen.

Gazetari i ZËRI-t, Edon Kuqi vendosi të shkojë pranë pallatit, pas dhjetëra denoncimeve që janë adresuar në redaksinë tonë dhe u përball me banorë mjaft të revoltuar me këtë vendim.

Njëri prej tyre, që është dhe pronar i tokës ku është ngritur pallati tregon se për momentin janë futur 30 familje, por pritet që në banesat e tyre të futen dhe 60 familje të tjera, që do të përballen me të njëjtin problem.

Pjesë nga prononcimi:

Banori: Problemi jonë është se ne kemi shtëpinë këtu tek pallati dhe ai zotëria që ka këtë Emeraldin, ka vënë traun atje dhe nuk na lë të hyjmë në pallat. Projekti e ka që rruga është këtu te trau, ai nuk e heq traun, thotë do paguani lekë për parkim, pse duhet të pagujëm lekë ne kur ne jemi banorë të këtij pallati.

Sa ju kanë thënë që ta paguani?

Banori: Ai ka thënë 50 mijë lekë secili, pse duhet të pagujmë ne

Me çfarë argumenti ka thënë ai që duhet të paguani?

Banori: Ai, ne që jemi të kësaj toke këtu, se unë jam banor, kam dhe pjesë toke, n aka marrë dhe 350 metra aty dhe ne prapë s’kemi folur. Projekti e ka që ai te hapë traun, ta vendosë atje ku është për ta vendosur, se ne kemi hyrë 30 familje deri tani, do futemi 90. Ku do hyjmë nesër? Kjo është e gjitha

Keni bërë denoncim?

Banori: Denoncim, të gjitha, kanë ardhur ata të bashkisë, kanë thënë që do ta hapim, por…

Po me pronarin e “Emerald Center”, keni pasur ndonjë lloj komunikimi me të, ia keni shtruar këtë kërkesën

Banori: Unë konkretisht nuk kam folur, ka folur ky që bën pallatin, i ka thënë jo një herë, po dhjetë herë, desh me hap rrugën këtu, nuk e la, desh me e heq, nuk e la. Tashi po rrimë, të shohim. S’kanë ardhur të gjithë banorët, por kur të vijnë të gjithë, të shohësh si do bëhet këtu, i thonë 90 hyrje, të gjithë nga një makinë, ku do hyjmë ne? Këtu është tokë private, këtu nuk lejohet, do mbyllet kjo këtu, ku do shkojnë banorët? Ku di unë si do zgjidhet, Bashkinë e kemi lajmëruar, INUK-un e të gjitha.

Jashtë kamerave, të njëjtat problematika shtrojnë edhe dy banorë të tjerë.

“Unë kam 11 garazhe që i kam të miat, pse duhet të paguaj hyrjen? Si mund të funksionojë kështu. Kemi folur dhe me IMT, erdhën, po s'bënë asgjë. Edhe bashkinë e kemi vënë ne dijeni! Është rrugë, si mund të bllokosh rrugën?”- thotë banori.

“Këta në fillim nuk linin as këmbësorët të kalonin. Ta vendosë traun më poshtë, tek parkingu i vet,”- thotë një tjetër.

Personi që ka në pronësi tokën ku për momentin kalojnë banorët, thotë se kjo situatë nuk do të zgjasë përgjithmonë, pasi prona e tij nuk mund të përdoret si rrugë kalimi.

“I kam lënë të kalojnë sa të gjejnë një zgjidhje! Jo përfundimisht. Kjo punë duhet zgjidhur. Sot janë diku te 30 familje. Nesër mbushet pallati,”- shprehet ai.

ZËRI shkoi dhe pranë zyrave të IMT-së, përfaqësues të së cilës janë shprehur se kjo çështje është në shqyrtim e sipër. Gjithashtu ZËRI kontaktoi dhe biznesmenin Fezollari në adresën zyrtare të emailit të afishuar në faqen e qendrës tregtare “Emerald”, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Në Gusht të vitit 2015, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, nën drejtimin e Arben Ahmetajt, shiti 45.9 përqind të aksioneve që zotëronte tek “Buka” sha, tek biznesmeni Lirim Fezollari, i cili zotëronte në atë kohë edhe rreth 40 përqind të aksioneve të tjera.

Pas kësaj shitjeje, mbi trojet e “Buka” sha, përfshirë edhe në atë të njohur familjes Myderizi, kompania e Fezollarit ndërtoi qendër tregtare.

Në truallin ku gjendej ish-furra elektrike e ndërmarrjes publike në zonën e “5 Majit”, kompania “Tobaço Holding” ka ndërtuar qendrën tregtare “Emerald Mall”.

Ndërsa në truallin e “Buka” sha, në zonën pranë “Pallatit me Shigjeta”, kompania e Fezollarit ka ndërtuar qendrën e lojrave “Latitude”. Tashmë, Fezollari vijon të jetë aksioneri maxhoritar me 89.4 përqind të aksioneve të ish-ndërmarrjes “Buka”, gjë për të cilën po hetohet nga SPAK. Por, pavarësisht veprimeve të ndërmarra nga institucionet, që deri më tani nuk kanë pasur pasoja mbi të, biznesmeni Fezollari ka vendosur t’I hapë vetes dhe një tjetër telash me banorët e zonës.

Mister mbetet se si do të futen brenda shtëpive të tyre qytetarët që kanë blerë apartamentet në këtë pallat, deri në momentin që Bashkia Tiranë, IMT-ja apo vetë biznesmeni tu japë një zgjidhje.

Poll

MOS HUMB