
TIRANË- Qeveria ka bërë një draf të ri për administrimin dhe investimet në zonat e Mbrojtura. Në draftin e ri që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, janë mësuar detaje të reja sesi do të administrohen këto zona. Në draftin e dorëzuar në Kuvend lajmërohet krijimi i një strukture paralele me Administratën e Zonave të Mbrojtura, e cila është emëruar Zyra e Administrimit të Parqeve Kombëtare (ZAPK).
Në dokumentin e miratuar në mbledhjen e fundit janë listuar edhe veprimtaritë e lejuara në zonat e mbrojtura, ku mes tyre listohen edhe investimet strategjike.
Veprimtaritë që lejohen të ushtrohen në zonat e mbrojtura mjedisore janë:
1. veprimtaritë e përcaktuara në vendimin e KKT-së për shpalljen e zonës së mbrojtur apo me miratimin e lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit me rregullore të veçantë, sipas legjislacionit të posaçëm në fuqi;
2. investimet strategjike dhe veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse ose në funksion të tyre, pavarësisht nëse kjo përcaktohet në vendimin e KKT-së për shpalljen e zonës së mbrojtur;
3. veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të agroturizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse ose në funksion të tyre, pavarësisht nëse kjo përcaktohet në vendimin e shpalljes së zonës së mbrojtur.”
Pasi kërkesa bëhet, Këshilli Kombëtar i Territorit miraton me rregullore të veçantë kërkesat për leje ndërtimi duke përcaktuar rregullat dhe kriteret teknike të infrastrukturës kryesore, e po ashtu edhe të asaj mbështetësve.
Në projektligj janë listuar edhe propozimet e bëra nga Ministritë e linjës, duke përfshirë: Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bujqësisë, etj. Psh. Ministria e Infrastrukturës kërkon që të parashikohet që investimet në zonat e mbrojtura mjedisore do të bëhen vetëm nëse ka projekte strategjike, të cilat shteti shqiptar i konsideron me potencial të lartë për zhvillim, ndërsa "Bujqësia" kërkon që të parashtrohen masa për parandalimin e përmbytjeve dhe erozionin e tokës.
PJESË NGA PROJEKTLIGJI:
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për nenin 18 të projektligjit, në të cilin propozohet shtimi i dy pikave në nenin 33, të ligjit aktual vlerëson që ky nen të rishihet në tërësi dhe, ndër të tjera, të parashikohet që “në zonat e mbrojtura mjedisore lejohet ndërtimi vetëm për projekte strategjike, të cilat konsiderohen nga shteti shqiptar me potencial të lartë për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Projekti strategjik përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për nenin 18 të projektligjit është shprehur edhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila ka sugjeruar që në nenin 33 të ligjit aktual, pas shkronjës “c” të pikës 2, të shtohet një shkronjë tjetër me përmbajtje: “c/1) ndërtimet e reja në infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe veprat e mbrojtjes nga përmbytja përgjatë lumenjve, bregdetit, përrenjve dhe rrjedhave të tjera ujore, kanaleve të ujërave të larta, kanaleve kulluese për parandalimin nga përmbytja dhe erozioni i tokave bujqësore dhe të zonave rurale.”.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural sugjeron ndryshimin e pikës 3 me përmbajtje: 3. Përjashtim nga kërkesa për miratim paraprak bëjnë veprimtaritë ushtarake dhe veprimtaritë që lidhen me operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin e infrastrukturës ekzistuese të ujitjes, kullimit dhe veprat e mbrojtjes nga përmbytjet që janë pendë/argjinatura dhe ndërtimet përgjatë lumenjve, bregdetit, përrenjve dhe rrjedhave të tjera ujore, kanaleve të ujërave të larta, kanaleve kulluese për parandalimin nga përmbytja dhe erozioni i tokave bujqësore dhe të zonave rurale, Këto veprimtari mund të ushtrohen pasi të jenë pajisur me leje mjedisore.”.
Ministria e Kulturës, brenda fushës së saj të përgjegjësisë shtetërore, ka paraqitur sugjerimet, si vijon: Në nenin 6 të ligjit aktual, pas shkronjës “c” që propozohet në nismën e deputetëve, të shtohet një pikë me përmbajtje: “Zonat me rëndësi universale në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”. Kjo pasi në disa zona natyrore si Peisazh i Mbrojtur, “Liqeni i Pogradecit” dhe Parku Kombëtar “Butrint” ndodhen pasuri botërore të UNESCO-s (pasuri botërore mikse, natyrore dhe kulturore), “Trashëgimia Natyrore Kulturore e Rajonit të Ohrit”, pjesa shqiptare dhe pasuria botërore “Butrint”. Për nenin 11 të projektligjit, i cili propozon se “Në rastet kur monumenti i natyrës është në zona të banuara, nuk aplikohet zona buferike e përcaktuar në këtë pikë”, Ministria e Kulturës sugjeron të shtohet një fjali me përmbajtjen: “Në rastet kur në monumentin e natyrës ndodhen pasuri të trashëgimisë kulturore dhe zona mbrojtëse të tyre të shpallura, në këto pasuri dhe zona zbatohen parashikimet e legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore.”. Në lidhje me propozimin për shtimin e shkronjës “e” pas shkronjës “d” të pikës 3 të nenit 20, sugjerohet që në fund të fjalisë të shtohet “Në rastet kur në peisazhin e mbrojtur ndodhen pasuri të trashëgimisë kulturore dhe zona mbrojtëse të tyre të shpallura, në këto pasuri dhe zona zbatohen parashikimet e legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore.” Po kështu, edhe për zonën e mbrojtur detare, neni 22, Ministria e Kulturës për propozimin në projektligj sugjeron të shtohet fjalia: “Në rastet kur në zonën e mbrojtur detare ndodhen pasuritë kulturore detare dhe zona arkeologjike nënujore, në këto pasuri dhe zona zbatohen parashikimet e legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore dhe Konventës së UNESCO-s “Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënujore.”. Për propozimin e ndryshimit të shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 16, të ligjit aktual, sugjerohet që në fund të fjalisë të shtohet shprehja: “në rastin kur këto projekte shtrihen në zona të trashëgimisë dhe peisazhit kulturor, shkalla e mbrojtjes të të cilave lejon ndërhyrjen, paraprakisht këto projekte duhet t’i nënshtrohen miratimit sipas procedurës mbështetur në përcaktimet e ligjit “Për trashëgimitë kulturore dhe muzetë”.
Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka shprehur qëndrimin si vijon: Për pikën 1 të nenit 10 të projektligjit, e cila propozon ndryshimin e shkronjës “c” të pikës 2 të nenit 16 të ligjit aktual, sugjerohet të riformulohet pasi kërkesat për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit nuk propozohen nga ministritë dhe bashkitë, por nga zhvilluesit privatë apo institucionet shtetërore për zhvillimet e veta. AZHT-ja sugjeron që ky parashikim të riformulohet: shtohet togfjalëshi “... Me përjashtim të lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit duke respektuar kriteret më të larta të mbrojtjes së mjedisit dhe biodiveristetit.” Gjithashtu, në kuadër të rishikimit të ligjit, AZHT-ja, në cilësinë e sekretariatit teknik të KKT-së, sugjeron që shpallja e zonave të mbrojtura sipas nenit 10 të ligjit aktual të miratohet vetëm nga Këshilli Kombëtar i Territorit, si organi më i lartë vendimmarrës i planifikimit dhe zhvillimit të territorit dhe që ka në përbërjen e vet pjesën më të madhe të anëtareve të Këshillit të Ministrave. I njëjti rregull duhet të vendoset edhe për Kurorën e Gjelbër (e parashikuar në nenin 23) apo edhe nëse kufijtë e zonave të mbrojtura rishikohen dhe ndryshohen, qoftë me zmadhimin apo zvogëlimin e zonës së mbrojtur, miratimi duhet të kryhet nga KKT-ja, me propozim të institucioneve përgjegjëse për zonat e mbrojtura.
Qeveria ka rrëzuar propozimin e deputetëve për administrimin e 20% të zonave të mbrojtura nga bashkitë, por atyre u lejohet që të shfrytëzojnë kullotat. Por kjo pikë mbetet për t'u parë sesi do të zhvillohet pasi Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka propozuar që të jetë sërish Këshilli Kombëtar Territorial, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ai që do të marrë vendimin edhe në këtë rast, njëjtë si për zonat e mbrojtura.
"Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, pasi vlerësoi parashikimet e nenit 6 të projektligjit lidhur me përcaktimin se: “3/1. Në çdo rast, bashkia përkatëse administron jo më pak se 20% të sipërfaqeve të zonave të mbrojtura që janë në territorin e kësaj bashkie. Vlerësimi i këtij parashikimi kryhet sipas pikës 3 të këtij neni.”, konstaton se pavarësisht se shumica e zonave të mbrojtura në vendet e Bashkimit Evropian administrohen nga bashkitë dhe administratat vendore rajonale ky nen fragmentarizon zonat e mbrojtura në Shqipëri. Zonat e mbrojtura janë ngritur për të ruajtur vlerat natyrore me rëndësi kombëtare dhe/ose ndërkombëtare dhe për këtë arsye menaxhohen nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Për zonat me rëndësi lokale të ruajtjes së vlerave natyrore, bashkitë mund të krijojnë dhe të menaxhojnë “Parqet bashkiake” ose “Kurorat e gjelbra”, siç përcaktohet tashmë nga ligji ekzistues për zonat e mbrojtura,"-shkruhet në draftin e publikuar nga BIRN.
Drafti i ri i qeverisë pritet të shqyrtohet dhe të miratohet në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese dhe Mjedisit, kësaj here pa pasur nevojë për t'u konsultuar me palët dhe me grupet e interesave, pasi dëgjesat janë bërë në draftin e parë. Tanimë ky draft pritet që të shkojë në Kuvend për t'u miratuar./ZËRI